Prizren: Do të lëshohet urdhëresë për verifikim të adresës ndaj të akuzuarve se privuan nga jeta vajzën e tyre tremuajshe
Bungu dhe Rama po akuzohen se më 13 shtator 2014, në shtëpinë e tyre në fshatin Lubovec në Skenderaj, e kanë goditur me mjet të fortë mbretës vjazën e tyre tremuajshe A.R, nga të cilat plagë kishte vdekur dhe e kishin varrosur në varrezat e fshatit Lubovec, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, vajzën tjetër, të dëmtuarën A.R, thuhet se me mjet të fortë mbretës e kishin goditur në kokë, me ç’rast e njëjta kishte pësuar plagë të rënda trupore, frakturë të dyfishtë në kokë.
Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha tha se nuk ka prova që të akuzuarit Bungu dhe Rama janë ftuar në mënyrë të rregullt.
Ndryshe, prezent ishin mbrojtësit e të akuzuarve Bungu dhe Rama, avokatët Vehbi Beqiri dhe Isa Hyseni, të cilët njoftuan se që nga seanca fillestare e 17 majit 2019, e mbajtur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, nuk kanë kontaktuar me të mbrojturit e tyre.
Paraprakisht, Gjykatësja Krusha ka njoftuar se këtë lëndë e ka pranuar më 8 mars 2023, ku në bazë të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, lënda nga Gjykata Themelore e Mitrovicës i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prizren.
Sipas saj, edhe pse aktakuza është ngritur më 12 tetor 2015, kjo vonesë nuk është bërë si lëshim apo mosveprim i kësaj gjykate.
Krusha ka thënë së do të lëshohet urdhëresë për verifikim të adresës dhe vendndodhjes së të akuzuarve Bungu dhe Rama pranë Stacionit policor në Skenderaj dhe në Mitrovicë.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 18 shtator 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, e ngritur më 12 tetor 2015, Fatime Bungu dhe Smajl Rama, akuzohen se më 13 shtator 2014, në shtëpinë e tyre në fshatin Lubovec të Skenderajt, së bashku për motive të ulëta, me dashje kanë privuar nga jeta fëmiun e tyre tremuajsh, tani të ndjerën A.R
Aktakuza thotë që Bungu dhe Rama me mjet të fortë mbretës e kanë goditur në kokë të ndjerën A.R, me ç’rast ka pësuar thyerjen e kockës së kraniumit dhe gjakderdhje intrakraniale nga të cilat plagë ka vdekur dhe menjëherë e kanë varrosur në varrezat e fshatit Lubovec.
Për këto veprime, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Po ashtu, ata po ngarkohen se më 13 shtator 2015, së bashku për motive të ulëta, me dashje kanë tentuar që të privojnë nga jeta fëmiun e tyre tre muajsh, të dëmtuarën A.R, në atë mënyrë që me mjet të fortë mbretës e kishin goditur në kokë, me ç’rast e njëjta kishte pësuar plagë të rënda trupore, frakturë të dyfishtë në kokë.
Për këto veprime, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 179 lidhur me nenin 28 e 31 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohentë pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorëme vendim të formës së prerë.