23-11-2024

Prizren: Dosja e Prokurorisë ndaj të akuzuarit për përfitimin 78 mijë eurove në emër të fajdesë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 6 nëntor 2023 pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Beqir Hoxhës, i cili po ngarkohet për veprën penale të fajdesë.

Sipas aktakuzës, të dëmtuarit F.S dhe prindi i tij Sh.S duke qenë në gjendje të rëndë financiare dhe nevoja për investuar në biznesin familjar në vitin 2016, ka bërë që të njëjtit të kërkojnë të holla në shumën prej 6 mijë euro nga i akuzuari Hoxha dhe se në emër të fajdesë i dëmtuari F.S është detyruar t’i paguajë shumën prej 78 mijë euro.

Shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit Hoxha do të mbahet më 10 nëntor 2023

I akuzuari Hoxha, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarve S., kontrakton shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore.

Aktakuza thotë që në emër të kamatës, i dëmtuari F.S nga muaji qershor 2016 deri në muajin prill 2023 ka paguar shumën prej 49 mijë e 200 euro.

Tutje, i dëmtuari F.S. më 18 shkurt 2018 duke mos arritur t’i paguaj shumat e kamatave nga i  akuzuari Hoxha merr 3 mijë euro, ndërsa në muajin mars merr shumën e të hollave prej 2,000 euro, për të cilat paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 euro kamata mujore.

E për këtë, i dëmtuari nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5 mijë euro vazhdon të paguaj nga 500 euro kamata mujore, duke i dhënë të pandehurit shumën prej 29 mijë euro.

Sipas aktit akuzues, në total i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78 mijë e 200 euro dhe kur i dëmtuari nuk arrin t’i paguaj kamatat, i akuzuari Hoxha e paralajmëron se duhet të paguaj nga 200 euro kamata ditore, me ç’rast nga i dëmtuari më datë 22 gusht 2023, i pandehuri merr 12 mijë e 800 euro dhe arrestohet në flagrancë.

Me këto veprime, Hoxha po akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së, nr. 06/L-074.

Ndryshe, më 23 gusht 2023, Gjykata Themelore në Prizren ia kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Hoxha.

Të njëjtit, Gjykata Themelore në Prizren i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.