Prizren: Dy vajza rrihen me një 22-vjeçar
Përleshjet fizike ku përfshihen të rinjtë kosovarë janë bërë një dukuri alarmante duke u cenuar kështu siguria publike dhe duke u rrezikuar shëndeti i tyre. Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në Prizren, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në rrugën ‘Shaip Spahiu’, ku janë përfshirë dy vajza të moshave 22 dhe 25-vjeçare dhe një 22-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se kanë qenë vajzat ato të cilat kanë kërkuar ndihmën e Policisë duke pretenduar që janë sulmuar nga i riu, mirëpo pas veprimeve hetimore edhe ato janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarave.
Për shkak të lëndimeve që kanë marrë gjatë përleshjes, tre të rinjtë kanë marrë ndihmë mjekësore e më pas kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin para hetuesve policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe të njëjtit të hetohen në liri.