Një aksion i zhvilluar javën e kaluar për shqiptimin e tiketave ndaj parkimeve të parregullta në Prizren dyshohet se ka paraprirë një vendim të diskutueshëm brenda strukturave policore.
Burime brenda policisë bëjnë të ditur se menjëherë pas këtij aksioni, i cili kishte për qëllim lirimin e hapësirave publike dhe normalizimin e qarkullimit në zonat më të frekuentuara të qytetit, major Vehbi Zekolli, shef i sektorit të operativës rajonale, dyshohet se ka dërguar një e-mail drejt stacionit policor në Prizren me kërkesën që të ndalet shqiptimi i tiketave në zonën e lagjes “Bazhdarhane”.

Sipas të njëjtave burime, aksioni i javës së kaluar kishte rezultuar me një numër të konsiderueshëm gjobash për parkim jo të rregullt, përfshirë edhe automjetet e klientëve pranë qebaptoreve “Bahtijari”, “Hyska” dhe “Linda”. Pretendohet se pikërisht pas këtij aksioni është iniciuar urdhri për ndalimin e mëtejmë të gjobave në atë zonë.

Banorë të lagjes thonë se parkimi i parregullt në këtë pjesë vazhdon të krijojë bllokim të komunikacionit, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes, kur frekuentimi i lokaleve është më i lartë.
Indeksonline ka tentuar të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës për këtë por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe Policia e Kosovës kishte njoftuar se më 27.02.2026, në intervalin kohor 10:00 – 12:00, patrullat e stacioneve policore të Prizrenit, Prizren-Veri dhe Njësisë për rregullimin e komunikacionit rrugor kishin ndërmarrë një aksion të koordinuar kundër parkingjeve të parregullta në qytetin e Prizrenit, kryesisht në qendër të qytetit.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj kohe janë shënuar gjithsej 106 gjoba për shkelje të rregullave të parkimit.

