Prizren: Dyshohet për shitje dr:og*e nga shtëpia – Arrestohet i riu me 11 doza marihuanë dhe para cash
Një operacion antidrogë i zhvilluar mbrëmjen e të premtes në Prizren, rezultoi me arrestimin e një të riu të dyshuar për veprimtari kriminale me narkotikë.
Gazeta Sinjali raporton se bëhet fjalë për Edin Xh., rreth 22-vjeçar, i cili u kap në flagrancë mbrëmë, rreth orës 19:00, në rrugën “Nazim Buduri”, afër Tyrbes në Prizren, nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve.
Sipas burimeve të Sinjalit, ndaj të dyshuarit kishte informacione operative se po shiste marihuanë nga shtëpia e tij, e cila ndodhet pikërisht në atë lokacion.
Policia e ndaloi në rrugë dhe gjatë kontrollit trupor gjeti një dozë me marihuanë në xhepin e shortsave, duke e arrestuar menjëherë.
Lexo edhe:
Nezir Çoçaj kalon në Nismën e Limajt: Prizreni ka nevojë për njerëz me duar të pastra
Në vijim, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, është bastisur edhe shtëpia e tij, ku hetuesit gjetën: 11 doza të gatshme për shitje me marihuanë, me peshë totale 27.32 gramë, 3340 euro, 30 franga zvicerane dhe 3 dollarë amerikanë, të dyshuara si të përfituara nga shitja e drogës, një grinder, dhe një telefon mobil.
Hetimet për rrjetin e mundshëm të shpërndarjes së drogës janë duke vazhduar.