Prizren: Edhe një e mitur viktimë e dhunës seksuale, nëna denoncon rastin në Polici
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve dhe dhunës seksuale ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për raste të tilla, ku viktimat shpesh herë janë vajza të mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Prizren, ku një grua ka deklaruar në Polici se vajza e saj e mitur kishte dalë në takim me një person të rritur dhe ka dyshime se me të ka pasur kontakt intim.
Sinjali mëson se 15-vjeçarja është dërguar për ekzaminime mjekësore në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që është identifikuar edhe i dyshuari.
20-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës.
I dyshuari para hetuesve policorë ka pranuar që ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Rasti është cilësuar ‘Dhunim’, ndërsa veprimet tjera ligjore pritet të merren ditëve në vijim.
Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me persona që janë nën moshën 16-vjeçare, kryejnë vepër penale dhe mund të dënohen me burgim prej 5 deri në 20 vjet