23-11-2024

Prizren: Edhe pas rigjykimit ish-inspektori i ndërtimit lirohet nga akuza për korrupsion

Ish-inspektori i ndërtimit në Prizren, Bashkim Krasniqi, për herë të dytë, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren, për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën, nga gjykatësja Ajser Skenderi, nuk është vërtetuar se i akuzuari Krasniqi e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse është shpallur aktgjykim lirues, gjykatësja Skenderi bëri të ditur se shpenzimet procedurale bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Lidhur me këtë akuzë, Bashkim Krasniqi ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren, më 18 nëntor 2019, me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet. Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim, me arsyetimin se duhet vlerësuar provat dhe të rivendoset për këtë çështje penale.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Krasniqit, të cilin e ngarkon se në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit të fundit të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xhavit Bytyçi, pronar i kompleksit hotelier- shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, i akuzuari nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pas kësaj date, edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.

Me këtë, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.