24-11-2024

Prizren: Ekstradohet në Turqi i dyshuar për prodhim dhe tregti me lëndë narkotike

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për ekstradimin e të dyshuarit Baris Nakipoglu për prodhimin dhe tregtimit me lëndë narkotike në bashkëkryerje.

Autoritetet e Republikës së Turqisë kanë paraqitur dy kërkesa për ekstradim të datës 6 gusht 2021, një nga Gjykata Themelore në Stamboll dhe një tjetër nga Izmiri, ku nga Ministria e Drejtësisë ishte kërkuar ekstradimin e Baris Nakipoglu, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe tregim i lëndëve narkotike ose psikotrope” dhe “prodhim dhe tregtim i lëndëve narkotike dhe psikotrope në bashkëkryerje”, për të cilin ishte lëshuar edhe fletëarrest ndërkombëtar.

E kërkesën në fjalë, kjo e fundit e kishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Prizren, ku në bazë të saj, Prokuroria Themelore në Prizren kishte paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren për ekstradimin dhe vazhdimin e paraburgimit ndaj të dyshuar Nakipoglu.

Po ashtu, gjykata ka aprovuar edhe kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, për vazhdimin e masës së paraburgimit deri në ekstradimin e të dyshuarit nga Republika e Kosovës, pasi që thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se ai është kryes i veprave penale të cilat i vihen në barrë, se kishte pasur urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOLI dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

Kërkesën për ekstradimin e të dyshuarit Nakipoglu e ka kundërshtuar mbrojtësi i të dyshuarit Nakipoglu, avokati Skender Morina, i cili në seancën dëgjimore të mbajtur më 11 gusht 2021 ka deklaruar se është kundër ekstradimit të të dyshuarit pasi që në materialet e dorëzuara nga Republika e Turqisë nuk ka aktakuzë e as dyshim të bazuar mirë ndaj të dyshuarit Nakipoglu dhe se ndaj tij momentalisht kanë filluar hetimet për tre vepra penale në Kosovë dhe se pa përfunduar këto lëndë, ekstradimi nuk duhet të lejohet.

Me kundërshtimin e avokatit Morina është pajtuar edhe i dyshuari Nakipoglu.

Ndryshe, ndaj Baris Nakipouglu, në Gjykatën Themelore në Pejë- Departamenti për Krime të Rënda është duke u zhvilluar procedura penale për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale falsifikim i dokumentit zyrtar, vjedhja e identitetit dhe të legalizimit të përmbajtjes së rreme.

Ai ishte regjistuar se ka lindur në Vitomiricë të Pejës me emrin Ifran Zeman, duke prezantuar vetëm një kopje të pasaportës së Serbisë të lëshuar nga strukturat paralele më 26 korrik 21 dhe se kjo gjë është duke u hetuar nga Njësiti i Hetimeve të Krimeve Ekonomike në Prishtinë./BetimiperDrejtesi

Asnjë koment

Comments are closed.