Prizren/ EMN reagon: Ndërtimi pa leje ka vijuar përkundër urdhrave të Inspektoratit
Organizata “EC Ma Ndyshe” ka reaguar ndaj ndërtimit pa leje në qytet, duke deklaruar se kjo po vijon përkundër urdhrave të Inspektoratit.
Komunikata:
Ndërtimi i një aneksi (shtim-ndërtimi) pa leje ndërtimore në Prizren është evidentuar gjatë muajit të kaluar, ku përkundër urdhrave të dhëna nga organet komunale si dhe gjobave të shqiptuara megjithatë punimet kanë vijuar.
Inspektorati i Komunës së Prizrenit ka njoftuar se në ndërtesën e banimit kolektiv në rrugën “Adnan Krasniqi” fillimisht dy herë ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha punimeve në ndërtimin e aneksit (penthaus) deri në pajisjen me leje nga DUPH-ja, derisa më pastaj është nxjerrë edhe aktvendimi për ndërprerjen e punimeve, meqë investitori nuk posedon leje ndërtimore. Por sipas Drejtorisë së Inspektoratit edhe përkundër këtij aktvendimi kanë vijuar punimet, duke e dëmtuar edhe shiritin e këtij organi komunal.
EC rekomandon organet komunale që të shtojnë praninë në terren, për të vepruar në mënyrë urgjente dhe konkrete për parandalimin e rasteve të tilla, në mënyrë që mos të krijohen precedentë edhe për raste tjera të ngjashme. Gjithashtu i bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi dhe punimet ndërtimore të realizohen vetëm pas marrjes së lejeve ndërtimore nga organet përkatëse.