Prizren: Fotografia e nxënësve me flamur turk e përshendetje ushtarake, deklarohen insitucionet
Postimi i një fotografie në rrjetin social facebook nga arsimtari i shkollës “ Motrat Qiriazi”, Selver Shantiri , ku shihet ai me 15 nxënës të klasës së IV-të të komunitetit turk duke bërë përshëndetje ushtarake, ka vënë në lëvizje të hënën drejtorinë e shkollës, atë të Arsimit në Prizren dhe Inspektoratin e saj dhe atë të MASHT-it.
Drejtori i shkollës, Sedat Shkurti, thotë se me të marrë informacionin për një veprim të tillë të mësimdhënësit, ai e ka kontaktuar atë dhe ka marrë përgjigje se fotografia vendosur në facebook është bërë me kërkesë të nxënësve.
Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Xhemile Thaçi- Vezgishi, thotë se ky rast tani po shqyrtohet nga organët përkatëse,dhe më vonë do të dilet me një komunikatë ku do të bëhet publik vendimi rreth çështjes në fjalë. Ky veprim i mësimdhënësit për abuzim me fëmijët, po kritikohet edhe nga drejtori i shkollës dhe drejtoresha e Arsimit në Prizren. Me çështjen në fjalë është duke u marrë më hollësisht Inspektorati i Arsimit në Prizren në bashkëpunim me atë të MASHT-it, njofton u.d i udhëheqësit të Inspektoratit të Arsimit komunal, Qemajl Bytyçi.
Ndryshe, këtë veprim të mësimdhënësit e kanë dënuar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës dhe Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren, duke kërkuar që të vihet para përgjegjësisë autori i këtij veprimi për manipulim më nxënësit, thuhet në reagimin e këtyre institucioneve./tvpz