Prizren: Gjendet i përgjakur një 31-vjeçar
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur, në afërsi të stacionit të autobusëve dhe atij hekurudhor, ku dje një person është gjetur në gjendje të tmerrshme pasi dyshohet se është sulmuar nga persona të panjohua, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 31-vjeçari është gjetur i përgjakur dhe me lëndime të dukshme në kokë, fytyrë.
Ai menjëherë është transportuar me urgjencë për në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, ku i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve brenda Emergjencës, viktima ka pasur tri çarje në kokë dhe buzë dhe pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e tij është stabilizuar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët kanë marrë dëshminë e 31-vjeçarit lidhur me atë që ka ndodhur.
Sipas deklaratës së tij, derisa kishte qenë duke ecur rrugës, i janë afruar dy persona të cilët nuk ka arritur që t’i identifikojë, pasi janë të panjohur për të, e që më pas e kanë goditur me mjete të forta derisa viktima ka rënë përtokë.
Menjëherë pas kryerjes së veprës, dy të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur dhe deri më tash nuk është arritur që të identifikohen nga Policia.
Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e të dyshuarve.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të bëhet i mundshëm arrestimi i personave që dyshohet se kryen veprën.