27-07-2025

Prizren: Gjendet pa shenja jete një person

Prizren, 27 korrik 2025: Sot, rreth orës 13:30, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në hapësirat e “Parkut Inovativ”, që ndodhet në ish-kazermën ushtarake në Prizren, është gjetur pa shenja jete një person i gjinisë mashkullore, me inicialet B.B., rreth 55 vjeç., përcjell Gazeta e Prizrenit.

Sipas informacioneve fillestare, i ndjeri ka qenë punonjës në atë park. Njësitë përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimin e vendit, mbledhjen e provave materiale dhe marrjen e deklaratave nga dëshmitarët.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Policia ka njoftuar se rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes” dhe hetimet janë në vazhdim për të sqaruar të gjitha rrethanat.

Lajmin për Gazetën e Prizrenit e ka konfirmuar zëdhënësi rajonal i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.

Asnjë koment

Comments are closed.