27-11-2024

Prizren: Gjykata e shpall fajtor inspektorin e ndërtimit, mbrojtja kërkon seancë për caktimin e dënimit

Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, ka marrë aktgjykim dënues, duke e shpallur fajtor inspektorin e ndërtimit, Nexhmedin Musliu për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, me ç’rast mbrojtësja e të akuzuarit Musliu, avokatja Valbonë Morina, ka kërkuar seancë për caktimin e dënimit.

Paraprakisht, pas shpalljes së aktgjykimit dënues, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, ka njoftuar palët se kanë të drejtë të kërkojnë seancë për caktimin e dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, avokatja Morina ka deklaruar se kërkojnë seancë për caktimin e dënimit. Fjalët e mbrojtëses së tij, i ka mbështetur i akuzuari Musliu.

Këtë kërkesë të mbrojtjes, nuk e ka kundërshtuar prokurorja Arjana Shajkovci.

Më pas, gjykatësja Elezi, seancën për caktimin e dënimit e ka caktuar më 28 prill 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.