Prizren: Gjykata lejon propozimin për ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit për vrasjen në “Tusuz”
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, është aprovuar propozimi i mbrojtësve të akuzuarit Haxhi Selmanaj, avokatët Esat Gutaj dhe Sylë Hoxha, që i akuzuari Selamanaj të dërgohet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK), për ekzaminimin e gjendjes së shëndetit mendor të tij.
Këtë propozim, e ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Propozimin e mbrojtjes, nuk e ka kundërshtuar prokurori Genc Nixha dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Ferit Kryeziu, avokat Rinard Pulaj.
Paraprakisht, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar mjeku, Imet Poniku, i cili ka treguar mbi gjendjen e shëndetit mendor për të akuzuarin Selamanaj, me ç’rast ka thënë se gjendja është e menaxhueshme dhe stabile.
Dëshmitari Poniku ka thënë se në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, i akuzuari Selmanaj është duke u trajtuar me terapi dhe gjithmonë nën përcjellje të vizitave psikiatrike.
I njëjti ka thënë se i akuzuari Selmanaj, dy apo tre vite para se të kryej veprën penale ka qenë pacient i tij në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prizren.
Po ashtu, ai tha se i akuzuari ka qenë i shtrirë disa herë në repartin e psikiatrisë pranë Spitalit të Përgjithshëm në Prizren dhe se dokumentacionet përkatëse janë në arkivin e spitalit.
Gjithashtu, Poniku ka treguar se i akuzuari Selmanaj ka qenë i shtrirë në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, në repartin e sëmundjeve të vartësisë.
Ai ka treguar se i akuzuari është i sëmurë nga çrregullimi mendor, që mendohet çrregullim nga përdorimi i dëmshëm i substancave narkotike dhe nga skizofrenia.
Dëshmitari Kryeziu ka thënë se nga i njëjti ka pasur ftesë që të takoheshin, por të njëjtën tha se nuk e ka pranuar.
Gjykatësja Krusha, tha se duke iu referuar udhëzimeve të Gjykatës së Apelit do të dërgojë në ekzaminim dëshmitë D3, D4 dhe D5 sipas listës së dëshmive të datës 26 janar 2020, që të bëhet ekazaminimi i tyre duke u bazuar në analizën e AND-së, për të vërtetuar faktin se a ishte përdorur kjo provë në rastin konkret nga ana e palëve në konflikt.
Në fund, Krusha tha se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet pas pranimit të ekspertizës nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike të Kosovës (IPFK).
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 15 korrik 2020, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26 janar 2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta tani të ndjerin E.K., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z.K, vëllai i të ndjerit.
Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin, ku kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit dhe në një moment i akuzuari e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur tani të ndjerin në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës E.K.
Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje”.
Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide nga organi i autorizuar shtetëror, mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë “ngjyrë ushtarake”, i cili është sekuestruar nga ana e policisë.
Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.