Janë propozuar prova të reja nga pala e dëmtuar në gjykimin ndaj Islam Thaqi, Jetmire Vrenezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi. Në mesin e këtyre provave ishte edhe një e-mail nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dërguar kryeministrit Albin Kurti.
Gjashtë të akuzuarit ngarkohen se keqpërdorën pozitën zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre në rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren, ku pretendohet se dëmi i shkaktuar është 69 mijë e729 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Mehdi Sefa deklaroi se në tërësi e mbështet ekspertizën e ekspertit Liman Mustafa dhe të gjitha provat që janë administruar në këtë shqyrtim gjyqësor.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Islam Thaqi, avokati Blerim Mazreku dhe mbrojtësi i të akuzuarës Egzona Thaqi, avokat Valdet Hoxha dhanë vërejtje në ekspertizën e ekspertit të ndërtimtarisë Liman Mustafa.
Dy mbrojtësit thanë se kanë vërejtje lidhur me kualifikim profesional të ekspertit Liman Mustafa, pamundësisë së tij për t’i mbrojtur gjetjet e tij në gjykatë dhe se kjo ekspertizë nuk përmban emrin, numrin e protokollit të dokumenteve të shfrytëzuara për hartimin e kësaj ekspertize.
Përfaqësuesi i të dëmtuarës “ABI SHPK”, avokat Taulant Hodaj, propozoi që të administrohen prova të reja në këtë shqyrtim gjyqësor e të cilat prova nuk janë pjesë e aktakuzës por që ai konsideroi se janë shume relevante për këtë shqyrtim gjyqësor.
Në mesin e këtyre provave të reja janë: kërkesa e të dëmtuarit Irfan Fusha për legalizimin e pjesës ku është bërë tejkalimi i lejes i datës 18 korrik 2019, ankesa e ushtruar ndaj aktvendimit të Drejtorisë së Inspektoriatit të sektorit të ndërtimtarisë për rrënimin e objektit, certifikatën dhe vendimin për legalizimin e këtij objektit të datës 16 mars 21, me të cilën është bërë legalizimi i pjesës së ndërtimit që ka pasur tejkalim të lejes.
Po ashtu, si prova propozoi edhe vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren me nr. C.nr 322/19 ku gjykata ka marrë aktvendim për sigurim të provave kundër Komunës së Prizrenit, me të cilën provë dëshmohet dëmi që i është bërë të dëmtuarit.
Tutje përfaqësuesi i palës së dëmtuar, propozoi disa CD, nga filmimet e TV Besa dhe Tv Prizren të datave 19 korrik dhe 21 korrik 2019 ku shihen gjithë të akuzuarit me rastin e daljes në terren për rrënimin e objektit aneks të ‘Abi Çarshia”.
Provë tjetër u propozua edhe një kërkesë për anulimin e vendimit me nr.A-213/18 të datës 27 shkurt 2018, që këtu i akuzuari Islam Thaqi e ka drejtuar ndaj Lumir Abdixhikut- Ish-ministër i Ministrisë së Infrastrukturës, me të cilën ka tentuar që ta vë në lajthitje ministrin e asaj kohe për anulimin e vendimit që të përmbahen nga çfarëdo rrënimi, e cila kërkesë nuk ishte marrë parasysh nga Administrata e Ministrisë së Infrastrukturës.
Edhe një e-mail që kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ia ka drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u prezantua në mesin e provave të reja.
Përmes atij e-maili, Haskuka i ankohet Kryeministrit se ministri i tij nuk ka bërë anulimin e vendimit ashtu siç kishte kërkuar drejtori i asaj kohe Islam Thaqi. Ky vendim kishte obliguar të akuzuarit që të përmbahen nga çfarëdo rrënimi të aneks objektit të “ Abi Çarshia” dhe të respektojnë ligjin për legalizim.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Islam Thaqi, avokat Blerim Mazreku, kërkoi kohë për analizimin e këtyre provave dhe pastaj të deklarohet për rregullsinë dhe besueshmërinë e këtyre provave.
Kryetarja e trupit gjykues, Kymete Kicaj aprovoi kërkesën e mbrojtësit Blerim Mazreku.
Në këto kushte, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës do të vazhdojë më 4 dhe 14 tetor 2021.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SHPK në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e729 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi