09-01-2025

Prizren: Gjykimi ndaj ish-drejtorëve komunal, ja çfarë deklaroi dëshmitarja

Dëshmitarja Meria Gorani, ish-zyrtare ligjore pranë Komunës së Prizrenit, tha se nuk ishte në dijeni dhe po ashtu, gjatë seancave nuk i kishte vërejtur anëtarët e komisionit, të ishin konsultuar me zyrtarë tjerë të Komunës së Prizrenit, lidhur me procedurat e ankandit.

Këtë deklarim, dëshmitarja Gorani e bëri të mërkurën, në gjykimin ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasemi, ish-drejtorit për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fejzë Kabashi, si dhe ish-drejtorit për Kadastër dhe Gjeodezi, Refki Shaqiri, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Për të njëjtën vepër penale po akuzohen edhe ish-asamblistja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja Gorani deklaroi se në Komunën e Prizrenit kishte punuar si zyrtare ligjore në Drejtorinë e Shërbimeve Publike që nga viti 2000 e deri më 2019, kur ishte pensionuar.

Ajo tha se nuk ishte në dijeni për ankandin publik lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme të Komunës së Prizrenit në vitin 2018, pasi që i përkiste një tjetër drejtorie.

Dëshmitarja tha se në seancat e komisionit kishte marrë pjesë si ndihmëse e procesmbajtësit, pasi që procesmbajtës ka qenë Rahim Alija dhe si e tillë tregoi se ajo ishte e koncentruar në procesverbal që të mos i ikte asgjë dhe se nuk e di dhe s’i kujtohet se ka pasur diçka që të reagojë.

Gorani tha se asnjëherë nuk është kërkuar prej saj që të jepte ndonjë sugjerim apo vërejtje.

Në fund, deklaroi se të gjitha procesverbalet nga seancat e mbajtura gjendet tek sektori i pronës pranë Komunës së Prizrenit apo konkretisht tek zyrtari Rahim Alija.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha, seancën e sotme e ka ndërprerë dhe e radhës do të vazhdojë më 6 dhe 7 prill 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.