Prizren: Gjykimi ndaj ish-kryeinspektorit Bujar Hasani, thotë se çështja e rrënimeve pa leje është detyrë e inspektorëve
Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor ndaj ish-inspektorit të ndërtimit, Nexhmedin Musliu, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së enjtes, dëshmitari Hasani duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Mehdi Sefa, ka deklaruar se nuk ka qenë kompetencën e tij, lejimi apo mos lejimi i rrënimit të objekteve.
“Mund të flas vetëm për veten time, nuk mund të flas për ish-drejtorët që kanë qenë para meje. Ne si staf politik përveç ndonjë rasti kur Komuna nuk ka pasur kontraktorin që merret me rrënimin e objekteve pa leje, aty ka mundur të ndodh prolongimi apo shtyrja e afatit të rrënimit për arsye objektive ”, ka deklaruar dëshmitari.
Ai ka thënë se sjellja e konkluzioneve dhe të gjitha veprimet si të inspektimit dhe të kontrolleve janë kompetencë e inspektorëve në bazë të ligjit për pushtetin lokal.
“Procesverbalin, aktvendimin dhe konkluzionin të gjitha këto i nënshkruan inspektori”, ka deklaruar dëshmitari.
Duke u përgjigjur në pyetjen mbrojtësit të të akuzuarit Nexhmedin Musliut, avokatit Genc Gjini, nëse duhet që para vendosjes për rrënim të objekteve paraprakisht të bisedohet me inspektorët, dëshmitari ka deklaruar se një bisedë e tillë nuk është e nevojshme.
“Jo nuk ka nevojë, përveç se ndonjë rast kur pala ndaj të cilit inspektori i ka marrë veprimet, ka mundur të vijë në konsultim me drejtorin në ato raste kur inspektori ka qenë tendencioz ndaj palës, por unë nuk kam pasur ndonjë rast”, ka thënë dëshmitari Hasani.
Gjithashtu, ai ka thënë se nuk është e përcaktuar me ligj se gjatë ekzekutimit të rrënimeve, në terren të merr pjesë drejtori i Inspektoratit.
Pas dëgjimit të dëshmitarit, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Genc Gjini, i ka propozuar trupit gjykues që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen pronari i kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, Nazmi Kastrati dhe pronari firmës “Coming”, Skender Vata.
Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, kurse seancën e radhës e ka caktuar më 2 dhjetor 2019, në ora 10:00.
Në seancën fillestare të mbajtur më 5 qershor të këtij viti, inspektori komunal i ndërtimit, Nexhmedin Musliu, ishte deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ai është i përfshirë edhe në një tjetër proces gjyqësor që ka të bëjë me veprën e njëjtë penale.
Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu, se në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje, në lagjen “Jeta e Re”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2. /BetimipërDrejtësi