25-11-2024

Prizren: Gjykimi ndaj ish-përmbarueses, ja çfarë deklaroi dëshmitari

Dëshmitari Bajrush Gashi ka thënë se lidhur me pronësinë e traktorit kanë kuptuar pasi që të njëjtin e kishin marrë nga oborri i të dëmtuarit.

Këtë deklaratë, dëshmitari Gashi e ka dhënë këtë të premte, në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ndaj ish- përmbarueses private, Saranda Kuçi, e cila po akuzohet se ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin tipit “Hurmilan-XA6062” në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G, i cili nuk ishte pronë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Gashi ka treguar se me të dëmtuarin Xhavit Gegaj kanë pasur një konflikt rreth një borxhi prej 4 mijë e 200 euro, e që për këtë kanë pasur të hapur një rast tjetër penal për të cilin Gegaj është dënuar me 6 muaj burg.

I njëjti tha se për këtë rast i është drejtuar përmbarueses Kuçi dhe se më 21 qershor 2021, së bashku me policin kanë  shkuar tek shtëpia e të dëmtuarit Gegaj që të ja kërkojnë borxhin dhe me atë rast kishte fotografuar traktorin i cili gjendej në oborrin e tij.

Gashi ka treguar se Gegajt i kanë dhënë një afat prej 2 muajsh të paguajnë borxhin dhe se për këtë kanë përpiluar procesverbal të cilin e kishte nënshkruar së bashku me të akuzuarën Kuçi, të dëmtuarin dhe policët prezent.

Dëshmitari Gashi ka thënë se nga dy djemtë e Haki Bytyqit ka kuptuar se traktori nuk kishte qenë në emër të tyre dhe se ata i kishin treguar se kanë kërkuar nga Gegaj që të bëhej çregjistrimi i traktorit nga emri i babai të tyre.

Lidhur me deklarimet e dëshmitarit Gashi, ka reaguar i dëmtuari Gegaj duke cilësuar deklaratat e të njëjtit si të pavërteta.

Po ashtu, vërejtje në deklaratën e dëshmitarit ka paraqitur prokurori Metush Biraj dhe përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokat Muhamet Shalaj , me arsyetimin se gjatë deklarimeve të tij i është referuar borxhit i cili është i vërtetuar në një procedurë tjetër që nuk është objekt i kësaj çështje penale.

Pararaprakisht, në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitarja Bukurije Bytyqi, e cila ka thënë se nuk di asgjë lidhur me rastin.

“Në oborr tonin nuk kam pa kurgja burri jem sen nuk m’ka than, s’di sen se burri më ka vdek infarkt ka pas, sen unë nuk di për këtë punë”, ka thënë Bytyqi.

Në përgjigjen e pyetjes së akuzuarës Kuçi, Bytyqi ka thënë se ka dy djem të moshës 26 dhe 24 vjeç.

Pas përfundimit të seancës, i dëmtuari Gegaj i është drejtuar të akuzuarës Kuçi me fjalët “do të ma paguajnë me kokë nëse prishet ai traktor”. Këto veprime i njëjti i ka bërë në prezencë të pjesëtarëve  të policisë e që të njëjtin e kanë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 7 prill 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 29 korrik 2022, Saranda Kuçi po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare të saj, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin e tipit “Hurmilan-XA6062” në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G.

Në aktakuzë thuhet se, e akuzuara Kuçi ka urdhëruar konsfikimin e traktorit i cili nuk ishte pronë e të dëmtuarit Xh.G, por pronë e të ndjerit H.B nga Suhareka, të cilin e dërgon në truallin ndërtimor të kreditorit Bajrush Gashi NPT “Loni” nga Suhareka.

Me këto veprime, Kuçi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.