27-11-2024

Prizren: Gjykimi ndaj komandantit “Molla e Kuqe”, dëshmitari thotë se akuzat janë sajesa dhe se për këtë janë paguar nga shërbime serbe

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Remzi Shala janë dëgjuar tre dëshmitarë, Xhafer Shukolli, Shefket Bujari dhe Nezir Përteshi.

Dëshmitari Shukolli ka thënë se akuza është e mbështetur në sajesa dhe se për këtë janë paguar nga shërbime sekrete serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ai tha se të dëmtuarit Agron Përteshi dhe vëllezërit e tij kanë ofruar rreth 100 mijë euro për informacione për babain e tyre dhe kjo sipas tij, dëshmon atë që akuza ndaj të akuzuarit Shala është sajesë.

Përfaqësuesi i të dëmtuarit Zenel Përteshi, avokat Asdren Hoxha ka thënë se dëshmia e dëshmitarit është tendencioze dhe se e njëjta nuk është objekt i akuzës.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i akuzuarit Shala, avokat Blerim Mazreku ka kërkuar nga dëshmitari Shukolli të sqaroj faktin për shumën e parave që janë ofruar a është pranuar nga dikush dhe se a ka ndonjë që ka dëshmuar në këtë proces gjyqësor dhe se a ka prova për këtë.

Mirëpo, pyetja e avokatit Mazreku është refuzuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi me arsyetimin se e njëjta nuk është objekt i akuzës.

Tutje, në këtë seancë janë ballafaquar dëshmitë e dëshmitarëve të cilët pas leximit të deklaratave të mëparshme të tyre Bujari ka thënë se Shukolli nuk ka qenë ushtar i tij në njësinë vëzhguese gjatë luftës e që ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se i njëjti nuk ka thënë të vërtetën.

“Jo një kohë më gjatë as një orë nuk ka qenë me neve Xhafer Shukolli, ne jemi takuar në Duhël por asnjëherë nuk ka qenë ushtarë me armë në dorë me neve”, tha dëshmitari Bujari.

Po ashtu, dëshmitari Shukolli ka thënë se ka marrë 5 ftesa për tu dërguar në shtabin e Bllacës të cilët po dyshoheshin për spiunazh.

Rexhep Përteshin dhe Sabit Qatanin.

Ai ka shtuar se një ushtarë i cili kishte qenë roje në hyrje të shtabit i kishte thënë se Xhafer Shukolli kishte përmendur emrin e tij për të keq dhe se pas kësaj kishte shkuar në zyrën e Zenel Shukollit dhe kishte marrë ftesat.

Ndërsa, dëshmitari Shukolli ka thënë se në gjykatë i ka përmendur emrat që i kanë bërë dëm para luftës dhe se këta emra i ka përmendur edhe në deklaratë.

Po ashtu, në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Nezir Përteshi i cili në deklarimet e tij ka thënë se të akuzuarin Shala e ka parë në Grajqevc por që nuk e di a ka qenë ushtarë apo komandant.

Ai ka shtuar se, Bajram Qatani nuk ka qenë asnjëherë në luftë dhe se me të njëjtin nuk ka pasur ndonjë raport të keq.

Seanca e sotme është ndërprerë për shkak të mbarimi të orarit të punës, seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 18, 20 dhe 21 tetor 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.