Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Muhamet Bilalli, në cilësi të dëshmitari ka deklaruar se për vrasjen e të ndjerit Haxhi Perteshi kishte dëgjuar pas luftës që ishte vrarë nga forcat serbe.
“Hera e parë që kam dëgjuar për emrin e Haxhi Perteshit ka qenë pas luftës ke qenë një ndej me 10-12 persona kemi biseduar për disa persona të vrarë nga shkijet mes tyre edhe Haxhi Perteshi dhe Sherif Qatani, se Haxhi Perteshin e kanë vra shqiptarët kurrë skam thënë dhe kurrë skam dëgjuar”, tha dëshmitari Bilalli.
Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ku Remzi Shala, i njohuri si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë Haxhi Përteshin nga shtëpia e tij, e më pas Perteshi ishte gjetur i vdekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit të rastit Haki Gecaj, dëshmitari tha se për herë të parë të akuzuarin Remzi Shala e kishte parë në korrik apo gusht të vitit 1998, dhe se sipas tij, në atë kohë as ai personalisht e as i akuzuari nuk kishin ndonjë gradë ushtarake.
Ndërsa në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Asdren Hoxha, se në deklaratën e mëparshme gjykatës i keni premtuar se do të sillni një vërtetim me të cilën vërtetohet se jeni bastisur nga KFORI dhe UNMIK-u, e me që raste iu është marr edhe një listë të personave të zhdukur dhe të vrarë në luftë e të njëjtin nuk e keni sjellë, dëshmitari tha se të njëjtën nuk mund ta gjej.
Pas kësaj ka reaguar i dëmtuari Zenel Perteshi, i cili ka kërkuar nga gjykata që t’i tërhiqet vërejtja e mbrojtësit të akuzuari, avokatit Blerim Mazreku, që në vazhdimin e procedurës i njëjti të mos përmend emrin e babait të tij të ndjerë Haxhi Perteshi.
“Kërkoj nga gjykata që ky mos me ja përmend emrin e babës tem kurrë, mundet me vazhdu me punën e vet por jo me përmend emrin e prindit tem” tha i dëmtuari.
Ndërsa pas kësaj ka reaguar i akuzuari Shala, duke thënë se do ta përmend sa herë të ka nevojë.
“Ka me përmend, jam i pafajshëm edhe shpijunat vrahen në luftë, po ky e din se babën ja ka vra agja vetë” tha i akuzuari Shala
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuari avokati Mazreku tha se i dëmtuari me këto fjalë kërcënuese i drejtohet atij pasi që ky trup gjykues e lejon që të ndërhyj pa leje dhe pa ia dhënë fjalën, duke shtuar se emrin e të ndjerit do ta përmend sa herë që të është e nevojshme dhe e kërkon procedura.
Paraprakisht në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar edhe Haki Përteshi dhe Fehmi Graishta.
Dëshmitari Perteshi tha se në ditën kritike kur është gjetur trupi i pajetë i Haxhi Përteshit atë ditë edhe është varrosur nga një numër i vogël i njerëzve.
Ai tha se ditën kritike kishte shkuar me njërën nga motrat e Agronit që ta merre Agronin nga Istikamet atje ku ka qenë duke punuar.
Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit avokatit Mazreku, se a kishte biseduar ndonjëherë mbas lufte me personin Hajdar Qatanin për rastin e Haxhi Përteshit, pasi që i njëjti gjatë luftës i kishte thënë se Xhemajlia erdhi dhe e mori Haxhin në shtëpinë time e futën në veturë, dëshmitari tha jo.
Tutje dëshmitari Perteshi tha se me familjen e Bajram Qatanit gjithmonë kanë pasur raporte të mira deri në rrëmbimin e të ndjerit Haxhi Perteshi, por sipas tij, pas rastit të Xhemajliut dhe Haxhis raportet kanë ndryshuar.
Ai tha se me të akuzuarin Shala ishin takuar në Qafë të Duhles ku i njëjti kishte ardhur si përforcim në vijën e frontit.
Tutje Graishta tha se për transferimin e tij nga Kleqka në Temeqinë kishte vendosur komandant Kumanova, pas kësaj sipas tij, ata kishin qëndruar në Bllacë, Luzhnicë e më vënë në krye me komandant Gurin kishin kaluar në Grajqefc.
Në pyetjen e përfaqësuesit të dëmtuarit avokatit Hoxha se përse edhe pas gjithë këtyre viteve nuk keni shkuar për ngushëllime tek djemtë e Haxhi Perteshit, dëshmitari tha se me ngushëllime merret babai i tij.
“Arsyeja është se unë kam prindin dhe ai merret me të gjitha ngushëllimet unë nuk merrna me ato, përveç asaj Zenel Perteshi me dy vëllezërit e tjerë ka qenë tek unë kemi ndejt edhe nuk e di çfarë të keqe kanë tash” tha dëshmitari Graishta.
Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me 29 mars 2022.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.
Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.
Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.
Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.
Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.
Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.