24-11-2024

Prizren: Gjykimi për detyrim, administrohen disa prova të propozuara nga Prokuroria dhe mbrojtja

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, është bërë administrimit i provave të parashtruar nga prokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Merita Bina- Rugova dhe mbrojtësit të akuzuarit Asdren Mekaj, avokati Besnik Berisha.

Mekaj akuzohet se i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, duke përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta sipas kushteve të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, prokurorja Bina- Rugova palëve në procedurë ua ka dorëzuar transkriptën e CD, e kërkuar nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Mekaj, avokatit Berisha.

Pas kësaj, është bërë dëgjimi i audio-incizimit të CD-së së 11 marsit 2015, provë kjo e parashtruar nga prokurorja Bina- Rugova.

Prokurorja Bina- Rugova ka thënë se ky audio-incizim vërteton të gjitha elementet e veprës penale të përshkruara si në dispozitiv të aktakuzës, elementet të cilat dëshmitarët- të dëmtuarit Pal dhe Zef Gruda, në të gjitha deklaratat e tyre vazhdimisht i kanë përsëritur, e të cilat i referohen mënyrës mashtruese të blerjes së “Fast Food” restorantit në Tiranë.

Po ashtu, ajo tha se përmes kërcënimeve, detyrimeve, mesazheve të cilat i akuzuari Mekaj vetë i ka shkruar nga telefoni i të dëmtuarit Pal Gruda, dëshmon për dashjen e tij direkte dhe paramendimin, me të cilën i ka kryer veprat penale, duke u kujdesur për provat me të cilat kinse dëshmon pafajësinë e tij.

Fjalët e prokurores Bina-Rugova, i ka mbështetur përfaqësuesi i të dëmtuarit Gruda, avokati Miftar Qelaj, duke shtuar se nga ky audio-incizim vërehet se i akuzuarit Mekaj ka provuar në çdo formë, qoftë përmes dhunës apo përmes familjarëve të tij dhe ndërmjetësve që të legjitimojë shumat kinse në emër të borxhit që kishte krijuar me detyrim.

Ndërsa, avokati Berisha ka kundërshtuar transkriptin e përcjellë me parashtresën e datës 19 tetor 2022, duke e cilësuar të njëjtin si përmbledhje të bisedës që sipas tij në sytë e hetuesit është vlerësuar se shkon në favor të aktakuzës.

Po ashtu, Berisha ka thënë se e kundërshton ligjshmërinë e CD-së, sepse sipas tij është një provë që është marrë pa urdhër të gjykatës e të prokurorisë, se nuk është dorëzuar mjeti me të cilin është incizuar dhe se mundësia e manipulimit ka qenë e mundur teknikisht dhe mbetet në interesin e një personi këtu, i cili ka për qëllim shmangien nga borxhi prej 200 mijë eurove.

Deklarimet e avokatit Berisha, i ka mbështetur i akuzuari Mekaj.

Tutje, është bërë shikimi i CD-së që përmbanin incizime të 16 shkurtit 2014 dhe të 14 korrikut 2013.

Vërejtje në CD-në e 16 shkurtit 2014 ka paraqitur prokurorja Bina-Rugova dhe avokati Qelaj.

Sipas Qelajt, në video-incizim vërehet se i dëmtuari Gruda ka qenë nën vëzhgim nga sjelljet e pazakonta të tij, ku tërë kohën shikon i shpërqendruar.

Po ashtu, i njëjti tha se këtë provë nuk e kanë poseduar më herët në mënyrë të që njëjtën ta kundërshtojnë për ligjshmërinë e saj.

Kurse, i dëmtuari Gruda ka mbështetur fjalët e avokatit Qelaj, duke shtuar se i akuzuari Mekaj është përsëritës i veprës penale dhe se kanë të bëjnë me një grup, me një familje kriminale që i kanë shkaktuar dëm shumë të madh edhe familjes së tij.

Gruda ka thënë se nga kjo gjykatë dhe ky trup gjykues pret që të marrin vendimin e duhur, në të kundërt do të ketë pasoja për të dyja familjet.

Pas deklarimeve të të dëmtuarit Gruda, ka reaguar avokati Berisha, duke i cilësuar si kërcënim nga ana e të dëmtuarit Gruda, me të cilin ka kushtëzuar vendimin e gjykatës në rast se gjykata nuk e dënon të akuzuarin.

“Nuk mundem pa ju referu kërcënimit të hapur dhe publik, i vetëquajturi i dëmtuar, i heshtur përballë kërcënimit pubik dhe këtë kërcënim e kushtëzoi në vendimin e gjykatës në rast se gjykata nuk e dënon të akuzuarin, i cili sipas tij i vetmi dënim i duhur është dënimi i Asdren Mekajt. Kjo është absolutisht krim, shantazh për trupin gjykues, po normalisht në një situatë si kjo duhet ta denoncojmë si krim dhe duhet të kërkojmë nga policia veprim, meqenëse ka ndodhur në gjykatë dhe prezent e kemi prokurorin e shtetit, kjo do të duhej të bëhej ex-officio”, tha Berisha.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha e ka aprovuar propozimin e prokurores Bina- Rugova, për leximin e raportit të 19 tetorit 2022, i përpiluar nga zyrtari Muharrem Ujkani.

Gjykatësja Krusha tha se me kërkesën e avokatit Berisha dhe avokatit Qelaj, seanca e 4 prillit 2023 anulohet, kurse të radhës këtë rast tha se do të mbahen më 27 dhe 30 qershor 2023.

Ndryshe, këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Mekaj, avokatit Besnik Berisha, gjykatësi Osmani ishte përjashtuar, kurse me vendim të gjykatës lënda i është caktuar gjykatëses Teuta Krusha.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj, për shkak të kryerjes së veprës penale “Detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “Shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale.

Megjithatë, për veprën penale “Shantazhi” Gjykata Themelore në Prizren, më 31 gusht 2018, kishte marrë aktvendim, me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.