Prizren: Gjykimi për shpërthimin në Zhur, në fjalën përfundimtare njëri i akuzuar thotë se rasti i është montuar
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, ka përfunduar gjykimi për shpërthimin në Zhur, me ç’rast dy të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi kanë dhënë fjalët përfundimtare të tyre. I akuzuari Badalli u shpreh se nga gjykata kërkon drejtësi, duke thënë se ky rast është montuar për të.
Në këtë rast, Gashi dhe Badalli po ngarkohen se kanë vendosur mjet eksplodues në shtëpinë e të akuzuarit Badalli në fshatin Zhur, me rastin e bastisjes nga Policia, mjeti kishte shpërthyer ndërsa kishte mbetur i vdekur polici, S.Th, ndërsa të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi, si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë kërkoj nga trupi gjykues veç drejtësi me pas kurrgjë tjetër…veç drejtësi me pas se unë nuk kam të bëjë me këtë rast asnjë send hiç, veç montime m’i kanë ba këta mu”, ka thënë i akuzuari Badalli.
Kurse, i akuzuari Gashi ka shprehur keqardhje për familjen e tani të ndjerit S.Th. dhe të tjerët të lënduar, si dhe ka kërkuar që ndaj tij të shqiptohet një dënim më i butë.
“Ngushëllime pikë së pari familjes së të ndjerit, më vie keq për shokët, për këta tjerët të lënduarit më vie keq. Pranoj veprën prej te Valbon Çollaku deri te fshati Zhur që e kemi bart bashkë me Iranin që e kam bart atë mjet, pajtohem me çdo veprim të gjykatës, jam kryefamiljar…kërkoj nga gjykata të më jepni një dënim më të butë”, ka thënë i akuzuari Gashi.
Fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Badalli, avokati Valdrin Gashi, me ç’rast i njëjti ka thënë se i mbrojturi i tij nuk ka qenë në dijeni se në shtëpinë e tij ka shpërthyer eksploziv.
Gashi ka thënë se nga 15 dëshmitarët e dëgjuar në këtë gjykim, nuk është vërtetuar se Badalli ka dërguar eksploziv në shtëpinë e tij.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se bastisja që ka bërë Policia në ditën kritike ka qenë e paligjshme dhe jo sipas procedurave ligjore. Sipas tij, nuk ekziston asnjë ekspertizë e cila është bërë për shpërthimin e eksplozivit.
Në fund, Gashi ka kërkuar që i akuzuari Badalli duhet të shpallet i pafajshëm ngase sipas tij nuk është provuar se i njëjti ka kryer vepër penale.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Esat Gutaj ka thënë se nga provat e administruara është vërtetuar që nuk ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilën ngarkohet i mbrojturi i tij.
Gutaj ka thënë se mungon dashja e kryerjes së veprës penale dhe se i akuzuari Gashi nuk ka qenë në dijeni se do të vie deri tek pasoja e shkaktuar, sipas tij veprimet janë si rezultat i pakujdesisë.
Në fund, Gutaj ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të merret një vendim sa më i butë.
Pas kësaj, gjykatësja Ajser Skenderi gjykimin e shpalli të përfunduar, kurse shpallja e aktgjykimit për këtë rast tha se do të bëhet më 19 shtator 2023.
Sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të dytë të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, në dispozitivit II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.