24-11-2024

Prizren: Gjykimi për vjedhjen në “Viva Fresh”, i akuzuari mohon të jetë përfshirë në këtë rast

I akuzuari Veton Krasniqi tha se ndihet i pafajshëm dhe se nuk është i përfshirë në rastin e vjedhjes.

Këtë deklarim, i  akuzuari Krasniqi e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka dhënë mbrojtjen e tij, në rastin e vjedhjes grabitqare në “Viva Fresh Store” në Korishë të Prizrenit.

Bashkë me të, në këtë rast ngarkohen edhe Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj, kurse Xhafer Ahmetaj po akuzohet për përdorim të armës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, i akuzuari Krasniqi deklaroi se gjatë ditës kritike nga ora 23:00 e deri në mesnatë ka qenë në qendrën sportive “Besi”, duke luajtur futboll.

“Pasi që e kemi kryer lojën, unë kam shkuar në kafiterinë “Lindi”, aty kam qëndruar deri në ora 01:00,  pas mesnate e pas kësaj kohe kam shkuar në shtëpi”, tha i akuzuari Krasniqi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Shemdi Bunjaku, i akuzuari Krasniqi tha se ftesën nga policia e kishte marrë përmes telefonit.

“Kam qenë në spital me pa tezen, policia me kanë thirrë në telefon të cilët më kanë udhëzuar të dalë tek emergjenca, unë i kam pritur rreth një orë derisa ka ardhur një patrullë me njësinë speciale e policisë dhe më kanë marrë” tha i akuzuari.

Ai theksoi se të akuzuarin e mitur H.B, nuk e njeh, ndërsa të akuzuarit Ahmet Ahmetaj dhe Berat Syla i njeh pasi që i ka bashkëfshatarë, ndërsa Leotrim Sokolin e njeh pasi që kishin punuar bashkë para 7-8 viteve.

Por, ka mohuar të ketë pasur ndonjë takim ku kishte ndenjur apo pirë kafe me ndonjërin prej tyre para ditës kritik.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Ahmet Ahmetaj, avokatit Nazmi Mustafi se a e dinte se çfarë veture kishte i mbrojturi i tij, i akuzuari e pohoi një gjë të tillë.

“Po, Ahmeti e ka pasur një veturë “Golf 2” më duket ngjyrë vishnje, për tjetër veturë nuk e di”. tha i akuzuari Krasniqi.

Ndërsa, i pyetur nga prokurori Genx Nixha, se në prokurori kishte deklaruar që gjatë orës 13-14 kishte shkuar tek mjeku, pasi që kishte lënduar gishtin e jo në shtëpi, i akuzuari tha se kjo ka të bëjë me orën 13 të pasdites dhe jo me orën 1 të mëngjesit të 2 shtatorit 2020.

Në seancën e së martës, mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe i  akuzuari Leotrim Sokoli, i cili duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Muhamet Shala, tha se ditën kritike ishte në shtëpi duke fjetur.

Ai tha se më 1 dhe 2 shtator 2020, nuk kishte biseduar me asnjërin nga të akuzuarit në asnjë formë.

“Para ditës kritike nuk kam biseduar me asnjërin nga të akuzuarit, të miturin H.B, nuk e njoh as nuk ia kam numrin, vetëm numrin e Ahmet Ahmetit e kam”, tha i akuzuari Sokoli.

Tutje, ai ka deklaruar se për vjedhjen në “Viva Fresh Store” kishte kuptuar 2-3 ditë pas ditës kritike derisa ishte duke pirë kafe në Prizren.

Po ashtu edhe  i akuzuari Sokoli ka deklaruar se Ahmet Ahmeti ka pasur veturë të tipit “Golf 2”, ndërsa ai personalisht tha se ka një veturë të tipit “Pikap Candy” ngjyrë të kuqe.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të vazhdojë nesër (16 mars).

Ndryshe, Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj akuzohen se më 2 shtator 2020, në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit, në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në bashkëveprim edhe me të miturin H.B., të zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes, me qëllim pasurinë e vjedhur ta mbajnë, përdorin armën e zjarrit për ta sulmuar personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Ahmet Ahmetaj duke pasur armën me vete si dhe duke përdorur forcën përmes një shufre metalike, në shoqërim të të miturit i cili ka pasur në dorë një kaçavidë, hapin derën e qendrës tregtare dhe të gjithë futen brenda, ku arrijnë të përvetësojnë një sasi të konsiderueshme të cigareve.

Gjatë daljes nga qendra tregtare thuhet se ata vërehen nga dëshmitari Xhafer Ahmetaj, i cili ishte edhe pronar i objektit, ku Ahmet Ahmetaj me të kuptuar që janë vërejtur nga pronari i objektit ka shkrepur me armë në ajër dhe më pas hipin në veturën “Renault Megane” dhe largohen në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar kështu “Viva Fresh Store” dëm material.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhja grabitqare” nga neni 316, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Xhafer Ahmetaj, gjatë kohës kur ka zënë të lartpërmendurit në flagrancë, ka përdorur armën e zjarrin në kundërshtim me ligjin, ndonëse për të njëjtën posedon leje nga organi kompetente.

Aty thuhet se derisa Ahmet Ahmetaj ka shtënë me armë zjarri në ajër për ta frikësuar Xhafer Ahmetajn, ky i fundit gjithashtu nga tarraca e shtëpisë ku banon shtie 4 herë me armë në ajër, nga frika për të dhe familjen e tij, me qëllim që t’i largojë të pandehurit.

Në fund, në aktin akuzues thuhet se posa policia arrijnë në vendin e ngjarjes, Xhemaj Ahmetajt ia sekuestrojnë armën në fjalë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.