Prizren: Gjykimi për mashtrim me viza pune gjermane, deklarohen dy dëshmitarë
Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, H.V., dhe A.G., që të dy Inspektor Tatimor u dëgjuan në cilësi të dëshmitarëve në gjykimin ndaj të akuzuarve Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj.
Drejtësia Sot, njofton se Hoxha dhe Rexhaj po rigjykohen si bashkëkryerës të veprave penale “Shpëlarje parash” dhe Flamur Hoxha për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.
Fillimisht, dëshmitari H.V., potencoi se raporti final për biznesizn Personal Lising ishte përpiluar në bazë të të dhënave dhe fakteve të përgjithshme, vetëm sa i përket biznesit të lartcekur.
Tutje, dëshmitari deklaroi se kontabilisti i NSH Personal Lising ka pasur çasje në draft raportonin përpiluar dhe se të njëjtit i është mundësuar prezantimi i provave brenda afatit të caktuar ligjor.
Ndërsa, dëshmitari tjetër inspektor tatimor në Prizren tha se të gjitha raportet e përgatitura janë detalizuara në një faqe të vetme, respektivisht në faqen 4 të raportit të dates 23 tetor 2017.
Ndër të tjera, dëshmitari theksoi se si përpilues i raport kontrollit final, tatim paguesi nuk kishte paraqitur ankesë ndaj draftit përfundimtar.
Krejt në fund, lidhur me kontrollin tatimor të DBBS, inspektori tha se kishte marrë për bazë dëshmitë dhe faktet e ofruara nga Policia e Kosovës, krimet ekonomike dhe korrupsion, gjegjësisht nga pagesat e pranuara nga kanditdatët – nxënësit e shkollës, e ku këto të hyra nuk ishin deklaruar nga biznesi.
Pas dëgjimit të dëshmitareve seanca u ndërpre, për të vazhduar më 04 prill 2022 në ora 13:15.
Ndryshe, Gjykata Prizrenit, më 9 janar 2020, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj.
Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani. /D. S
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.