Prizren: Hajnat vjedhin para, cigare e stoli në një lokal – dëmi gati 10 mijë euro
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur dje në një lokal në rrugën ‘Ibrahim Lutfiu’ në Prizren, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar brenda hapësirës së brendshme dhe kanë vjedhur para, cigare e stoli.
Sinjali mëson se pronarja e lokalit ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se të dyshuarit kanë hyrë me forcë në lokal dhe shuma e parave të vjedhura është rreth 8 mijë euro. Po ashtu sipas saj, vlera e cigareve që u morën nga hajnat është rreth 1 mijë e 600 euro dhe mbi 100 euro stoli.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që çojnë në kapjen e tyre.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.