26-11-2024

Prizren: Hajnat vjedhin rreth 28 mijë euro para dhe ari nga shtëpitë e vëllezërve Hajdari

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos gjatë sezonit të verës, kur organizohen ahengje me të madhe dhe shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e kanë pësuar edhe tre vëllezër Hajdari në fshatin Krushë e Vogël të Prizrenit, mbrëmë pas mesnate. Hajnat kanë bërë kërdi në shtëpitë e tyre, kur brenda pak minutave kanë vjedhur një shumë të majme parash e stoli ari. 

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se tre vëllezërit kanë denoncuar në Polici se hajnat kanë vjedhur nga shtëpitë e tyre rreth 28 mijë euro, gjatë kohës kur askush ata s’kanë qenë aty dhe shtëpitë kanë mbetur pa përkujdesje.

Sipas deklaratave të tyre, të dhëna para hetuesve policorë me rastin e denoncimit të rasteve, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku kanë demoluar shtëpitë dhe më pas kanë vjedhur pothuajse nga secili shuma të mëdha parash.

Pas raportimit të rastit, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit janë iniciuar rastet si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve./ GS

Asnjë koment

Comments are closed.