24-11-2024

Prizren: Hapet qendra më e madhe tregtare “Galeria Shopping Mall”

Në Prizren sot ka hapur dyert qendra më e madhe tregtare “Galeria Shopping Mall”, me hapësirë 50 mijë metra katrorë, mbi 100 brende lokale dhe ndërkombëtare, ndërsa ka të punësuar mbi 1 mijë e 500 punëtorë.

Drejtori i përgjithshëm dhe njëherësh njëri nga investitorët kryesor të këtij projekti Gojart Shaqiri, u shpreh që Qendra Tregtare Galeria që nga fillimi ka pasur qëllim t’iu ofrojë konsumatorëve dhe vizitorëve shumëllojshmëri në nevojat e blerjes, shërbimeve dhe argëtimit.

“Galeria ka filluar si ide në vitin 2017, pasi që erdhi informata që të gjitha brendet e mëdha botërore janë duke ardhur në Kosovë dhe pasi që filluan prezencën e tyre në Prishtinë, unë e kisha idenë që stacioni i dytë i të gjitha brendeve të ishte në qytetin e dytë të Kosovës në Prizren. Së bashku me gjithë ekipin ne kemi arritur që brenda 18 muajve të ndërtojmë këtë kryevepër të Prizrenit në 50 mijë metra katrorë dhe te kemi në Prizren mbi 100 brende vendore dhe ndërkombëtare”, tha ai.

Shaqiri u shpreh se ndihet krenar që së bashku me mbi 100 brendet kanë arritur të punësojnë mbi 1.500 punëtorë.

“Së bashku me Galerinë kemi punësuar mbi 1 mijë e 500 punëtorë me orar të plotë për çka ndihemi jashtëzakonisht krenarë. Galeria është jo vetëm e Prizrenit, por e gjithë rrethit të Prizrenit dhe Kosovës”, tha ai.

Shaqiri tha për KosovaPress se nuk e përjashton mundësinë që një qendër e tillë të ndërtohet edhe në ndonjë qytet tjetër.

“Së pari sot jemi te fokusuar ta hapim këtë qendër, të kemi një sukses të madh në Prizren dhe ne kurrë nuk themi kurrë. Kështu që, ne do të shohim edhe për projektet e ardhshme, pse jo edhe në një qytet tjetër”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, u shpreh se si qeveri komunale janë të hapur për të mbështetur të gjitha bizneset që investojnë në Prizren.

“Ne si qeverisje komunale që nga fillimi kemi thënë që do të mundohemi që çdo investim në Komunën e Prizrenit ta lehtësojmë, por normal të gjitha investimet të jenë në suazat ligjore dhe në bazë të ligjeve në fuqi…Me të vërtetë kanë bërë një punë shumë të mirë dhe në këtë aspekt nuk kemi pasur asnjë problem lidhur me të gjitha procedurat që janë bërë në këtë investim. Uroj të gjithë ata që kanë qenë në këtë projekt për punën që e kanë bërë. Edhe këtu dëshiroj t’i falënderoj të gjithë investitorët, të cilët investojnë në Prizren dhe t’iu them se ne gjithmonë jemi bashkëpunues dhe shumë të hapur që këto investime të bëhen në Prizren, jo vetëm për shkak të traditës që e ka krijuar Prizreni në aspektin edhe të tregtisë, por edhe të shërbimeve dhe prodhimtarisë. Edhe nga impakti që Prizreni dita- ditës po bëhet si një qendër me rrugët e reja. Ne jemi vetëm dy orë larg nga Tirana, një orë nga Prishtina, një orë e gjysmë nga Shkupi dhe tash ndoshta me rrugën e re që do të kemi me Tetovën dhe 40 minuta nga Tetova, andaj Prizreni si një qendër që i lidh të gjitha këto qytete dhe dita-ditës besoj që do të ketë një rëndësi edhe më të theksuar në aspektin ekonomik”, tha ai.

Haskuka premtoi se do të jenë në mbështetje të të gjitha bizneseve që dëshirojnë të investojnë në Prizren.

“Po e them edhe një herë, ne jemi gjithmonë këtu që t’iu mbështesim që të mos krijohen pengesa. E di që ndonjëherë është vështirë me burokraci, se edhe unë si kryetar i komunës mundohem të realizojë zonën ekonomike dhe në shume raste duhet të takohem 20 herë me zyrtarë të ndryshëm nëpër ministri”, tha ai.

Galeria Shopping Mall ka 50,000 metra katrorë sipërfaqe, nga të cilat 25,000 metra katrorë janë ambiente me pakicë, e shtrirë në 3 kate + 1 kat parking nëntokësor, me më shumë se 500 vend-parkingje. Galeria u ofron vizitorëve mbi 100 dyqane, ambiente për argëtim dhe shërbime të ndryshme me brende të fuqishme kombëtare dhe ndërkombëtare./KosovaPress/

Asnjë koment

Comments are closed.