24-11-2024

Prizren: Hapet Shtëpia e Komunitetit për Personat me Aftësi të Kufizuara Intelektuale

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit bashkë me zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të hënën kanë përuruar Shtëpinë e Komunitetit për Personat me Aftësi të Kufizuara Intelektuale, të ndërtuar në lagjen “Dardania 2”. Në këtë aktivitet, ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të institucioneve tjera, është thënë se kjo shtëpi rezidenciale do të mundësojë afrimin e shërbimeve të nevojshme për këtë kategori të cenueshme të shoqërisë.Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Islam Thaçi ka theksuar se organet komunale dhe MPMS-ja kanë bashkëpunuar për jetësimin e këtij projekti, i cili sipas tij në fillim është përballur me pengesa sa i përket përcaktimit të lokacionit për ndërtim. “Investimet e parapara në marrëveshje për shkak të pengesave teknike, kanë pas tejkalim të arsyeshëm, ngase na janë paraqitur pengesa teknike, veçmas sa i përket krijimit të infrastrukturës. Kur e kemi parasysh se kjo lagje është në ndërtim  sipër, jemi munduar që ta bëjmë më të mirën për këtë vendbanim dhe për këtë institucion”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se vlera e parashikuar e projektit ka qenë 200 mijë euro, ndërkohë që investimet e deritanishme kanë arritur në 250 mijë euro.

“Kjo shtëpi rezidenciale që ka qenë më se e nevojshme do të ofrojë shërbime për 14 qytetarë të një kategorie të veçantë, 24 orë e 7 ditë në javë”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërsa Mentor Morina nga MPMS ka pohuar se me këtë projekt afrohen shërbimet për këtë kategori të shoqërisë. “Shtëpia e Komunitetit për Personat me Aftësi të Kufizuara do të jetë një mundësi e mirë për këtë komunitet që shërbimet ti marrin sa më afër, edhe ata klientë, të cilat kanë qenë të vendosur ndoshta jashtë Komunës së Prizrenit. Por kjo shtëpi, sigurisht se do të shërbej edhe në të mirën e komunave tjera, për klientët të cilët kanë mundësi të strehohen tani më afër komunitetit, dhe këto janë qëllimet e objektivat tona”, është shprehur Morina, duke shprehur gatishmërinë për realizimin e projekteve tjera me Komunën e Prizrenit si dhe me sektorin joqeveritar.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se në këtë shtëpi do të ofrohen të gjitha shërbimet për PAKI-të. “Pas 2 viteve të fillimit të punimeve, sot jemi këtu në një ndërtesë moderne, me të gjitha kushtet më të mira, bile me pamje më mirë se shumica e hoteleve pesë yjesh, ku do të jepen të gjitha shërbimet për personat, të cilat kanë ngecje në zhvillimin mendor”, ka thënë ai.

May be an image of ambiente të jashtme

Sipas tij, krahas stafit të trajnuar që është angazhuar për punë në këtë shtëpi, në bazë të marrëveshjeve përkatëse shërbimet shëndetësore do të ofrohen nga Spitali i Prizrenit, Shtëpia e Shëndetit Mendor si dhe Drejtoria e Shëndetësisë. “Shpresoj që do të jetë një shembull i mirë se si duhet të trajtohet kjo kategori e njerëzve, edhe se si duhet ti trajtojmë njerëzit që kanë më së shumti nevojë. Një shoqëri zhvillimin e saj e tregon pikërisht me mënyrën se si i trajton grupet e cenueshme, dhe ky është prioritet i yni si qeveri lokale, por edhe i MPMS-së”, ka thënë Haskuka.

Plani fillestar i Komunës së Prizrenit ka qenë që kjo shtëpi rezidenciale të ndërtohet në lagjen “Petrovë”, por pas kundërshtive nga banorët ishte vendosur që të ndërtohet në lagjen “Dardania 2”.

https://www.koha.net/kosove/262527/ne-prizren-hapet-shtepia-e-komunitetit-per-personat-me-aftesi-te-kufizuara-intelektuale/

Asnjë koment

Comments are closed.