Prizren: I akuzuari mungon pa arsye, dështon gjykimi për sulmin për shkak të mosmarrëveshjes rreth pronës
Për shkak se i akuzuari T.S mungoi pa arsye, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku i njëjtit po akuzohet se sulmoi të dëmtuarin Xh.K, për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit T.S, gjykatësi Fatmir Krasniqi tha se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, gjyqtari Krasniqi seancën e së martës e shtyu në kohë të pacaktuar.
Në aktakuzë thuhet se më 12 prill 2020, i akuzuari për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore me të dëmtuarin, në ditën kritike fillimisht i drejtohet me fjalë ofenduese të dëmtuarit, e pasi që i ishte afruar e sulmon të njëjtin duke e kapur për fyti, e më pastaj e kishte goditur me grabujë në shpinë.
Për këto veprime, prokuroria të akuzuarin T.S po e ngarkon me veprën penale “Sulmi” nga neni 184, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 3 vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.