Prizren: I kërkuari nga Gjykata sul:mon katër policë gjatë arrestimit, i gjenden dr:o*gë
Një incident i dhunshëm është regjistruar mbrëmë në Prizren, ku një person i kërkuar nga Gjykata ka sulmuar katër zyrtarë policorë gjatë tentativës për t’u arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:50, në rrugën “Enver Hadri”, pasi policia kishte marrë informata operative për vendndodhjen e të dyshuarit A. Gashi, rreth 29-vjeçar, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest gjyqësor.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar të dyshuarin, por në momentin kur është tentuar arrestimi, Gashi ka tentuar të arratiset. Pas një ndjekjeje të shkurtër, ai është kapur dhe shoqëruar në Stacionin Policor të Prizrenit, ku gjatë arrestimit ka sulmuar fizikisht katër policë, të cilët kanë pësuar lëndime trupore.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur në trupin e tij 11.11 gramë marihuanë dhe 2.44 gramë heroinë, që janë sekuestruar si prova materiale.

Në rast është përfshirë edhe njësia e Hetimeve të Narkotikëve (DHTN), ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është inicuar rasti për “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të narkotikëve”.
Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.