Prizren: Incident në një hotel: 31-vjeçari i dehur kërcënon recepsionistin, ai e sulmon fizikisht
Abuzimi me alkoolin është ndër shkaktarët më të shpeshtë të incidenteve që ndodhin në vendin tonë. Të tilla raste jo rrallëherë eskalojnë në kanosje serioze, e përleshje, siç ka ndodhur edhe mbrëmë në hotelin ‘Centrum’ në Prizren, ku një qytetar hyri papritur pas mesnate dhe u kap me recepsionistin. Sinjali ka mësuar detajet e këtij rasti, që është konfirmuar nga Policia, por edhe nga pronari i hotelit.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy palët kanë përfunduar në Polici në cilësinë e personave të dyshuar për dy vepra penale, njëri për kanosje e tjetri për rrahje.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për të dyshuarin L.Domgjoni, i cili hyri i dehur në hotel dhe u fut në telashe, duke e kanosur punëtorin e hotelit S.Egli. Sherri që shkaktoi në hotel e shtyu recepsionistin që të reagojë, duke e sulmuar fizikisht dhe për pasojë i shkaktoi lëndime trupore.
Rasti u denoncua menjëherë në Polici nga pronari i hotelit, i cili ka ofruar si prova edhe pamjet nga kamerat e sigurisë, ku është dëshmuar përfshirja e dy palëve në këtë incident.
I dyshuari që u sulmua nga punëtori i hotelit ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Prizren, e më pas është shoqëruar në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për disa orë dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Kanosje”.
Rasti është konfirmuar nga Policia Rajonale në Prizren, ndërkohë që edhe pronari i hotelit ka dhënë versionin e ngjarjes në një prononcim për Sinjalin.
“Një kalimtar i dehur ka hy në hotel, janë shty… e kam lajmëru rastin edhe Policia ka ardhë, i ka marrë ata. Ai (i dyshuari) ka hy në hotel edhe e ka kërcënu recepsionistin, pastaj ky e ka shty edhe e ka rrëzu. Policia i ka marrë të dy në pyetje edhe kanë vazhdu..”, tha ai për Sinjalin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/