Prizren: Incident në Qendrën e Paraburgimit, zyrtari i lartë kërcënohet nga i dënuari pasi ia ndërroi qelinë
Zyrtarët në institucione të ndryshme jo rrallëherë përballen me kërcënime nga qytetarët gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Kërcënimet verbale shpesh eskalojnë, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të hënën mbrëma në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku një zyrtar është kërcënuar nga një i dënuar që e vuan dënimit në këtë qendër.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se viktima është një mbikëqyrës i lartë i kësaj qendre, i cili u përballë me të dyshuarin, pasi fillimisht pati një incident mes të paraburgosurve. Sipas informacioneve të para, viktima e kishte transferuar të dyshuarin nga një qeli në një qeli tjetër për shkak se i njëjti ishte konfrontuar me të burgosurit e tjerë.
Në lidhje me rastin, Policia është njoftuar nga zyrtari i Qendrës së Paraburgimit dhe më pas është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i ciki ka urdhëruar inicimin e rastit si “Kanosje ndaj personit zyrtar”.
Ndryshe, në rastet kur kjo vepër kryhet ndaj personit zyrtar në lidhje me punën apo me pozitën e tij ose ndaj disa personave ose kur vepra kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.