Prizren: Në gjykimin për Shtëpinë e Kulturës në Zhur, ish-drejtori i DKRS-së deklarohet rreth pagesave
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, ish-drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS) në Prizren, Almir Saiti, ka thënë se pagesat për ndërtimet e Shtëpisë së Kulturës në Zhur i kishte bërë pas miratimit të organit mbikëqyrës.
“Me rastin e çdo rekomandimi për pagesë, paraprakisht ka ekzistuar procesverbal- raport në bazë të cilave organi mbikëqyrës ka lejuar që të kryhet pagesa, sikur që e ceka edhe në fillim, pa raportin e organit mbikëqyrës nuk ka mundur që të kryhet asnjë pagesë”, ka thënë Saiti.
Në këtë rast, Saiti bashkë me Muhamet Bajramin, Drenusha Behluli-Mehmetin dhe Hatixhe Përzhellën, po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokat Hajrip Krasniqi, i akuzuari Saiti ka thënë se mandatin si drejtor e ka përfunduar në vitin 2013, kurse aktakuza e prokurorisë e ngarkon se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare deri në vitin 2015.
Saiti tha se gjatë periudhës 1 prill 2010 deri më 24 nëntor 2013, ka qenë menaxher i projektit kur është ndërtuar Shtëpia e Kulturës në fshatin Zhur.
Tutje, ai tha se nuk kishte qenë nënshkrues i kontratës dhe as kontraktues me operatorin ekonomik “Alcom- Construction” për fazën e parë të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës.
Po ashtu, ai tha se mbikëqyrjen e ndërtimit të objektit e kishte bërë Komuna e Prizrenit, e cila kishte miratuar edhe organin mbikëqyrës dhe se kjo është bërë me kontratën e lidhur me operatorin ekonomik “Alcom- Construction”.
Saiti ka thënë se për fazën e parë të punimeve ka dhënë vetëm 2 rekomandime për pagesë për “Alcom- Construction”, pasi që kishte marrë raport pozitiv nga ana e organit mbikëqyrës dhe se për fazën e dytë të punimeve të objektit nuk ka bërë asnjë pagesë.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Genc Nixha, i akuzuari Saiti ka thënë se pjesërisht qëndron pranë deklaratave të dhënë në prokurori dhe se e vërteta është ajo çka ka deklaruar sot.
Saiti ka treguar se mbikëqyrës të punimeve për fazën e parë ishin Refki Muzbeg dhe Ylber Gashi, ndërsa për fazën e dytë ishin Muhamet Bajrami dhe Kujtim Gashi.
Tutje, ai shtoi se nga 11 pagesa të cilat i ka nënshkruar, ka dhënë rekomandim në bazë të raportit të organit mbikëqyrës dhe se i njëjti e ka pasur për detyrë daljen në terren për mbikëqyrjen e punimeve.
Ndryshe, i akuzuari Saiti në fillim të seancës është deklaruar i pafajshëm për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Tutje, në këtë seancë është deklaruar edhe i akuzuari Bajrami, i cili në përgjigjet e pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Rexhep Kabashi, ka thënë se qëndron në tërësi pranë deklaratave të dhëna në prokurori.
Bajrami ka thënë se gjatë fazës së dytë të punimeve të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ka pasur pozitën e organit mbikëqyrës.
Për fazën e dytë të punimeve, Bajrami ka thënë se palë kontraktuese ka qenë DKRS dhe kompania ndërtimore “Elshani”, e cila kompani për 150 ditë pune është dashur të kryente punimet.
Bajrami ka thënë se në punime që është dashur të kryhen në fazën e parë, e që janë bartur në fazën e dytë, ishin punimet e muratimit në katin përdhesë, në katin e parë dhe atikën e kulmit, punimet e betonit në puseta të instalimeve të kanalizimit, oxhaku i nxemjes qendrore, etj.
Ai tha se për këto punime, pagesa është bërë me aneks-kontratë nga ana e DKRS-së, janë përpiluar 12 procesverbale të pagesave, e që pagesa e fundit ka qenë në muajin dhjetor 2012.
Në fund, Bajrami ka mohuar faktin se për fazën e dytë të ndërtimit të objektit ka pësuar dëm Komuna e Prizrenit.
Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 19 dhjetor 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Saitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Muzbegu akuzohej se gjatë periudhës 22 tetor 2009 e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Ai thuhet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se prej periudhës dhjetor 2013 e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67 mijë e 633 euro, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se prej periudhës 3 nëntor 2017 e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64 mijë e 609 euro e 23 centë, të përshkruar hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së.
Ndërsa, i akuzuari Refki Muzbeg është liruar nga akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë.