23-11-2024

Prizren: Ish-drejtori i komunës kërkon të hudhet aktakuza që e ngarkon për keqpërdorim pozite

Një kërkesë të tillë, mbrojtësit e dy të akuzuarve e kanë bërë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku ata akuzohen se kanë lidhur kontrata të kundërligjshme me televizionet lokale, TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, me ç’rast Komunës së Prizrenit i kanë shkaktuar dëm prej mbi 22 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, tani të akuzuarit Zenel Ahmetaj, avokati Pjeter Përgjoka, ka deklaruar se ai ka parashtruar kërkesën me shkrim, me të cilën ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza ndaj klientit të tij.

“Aty kemi parashtruar të gjitha arsyet për të cilat mendojmë se kjo aktakuzë nuk mund të qëndrojë. Gjithashtu kemi propozuar me kërkesë që në plotësim të procedurës së provave të sigurohet edhe vendimi i kryetarit të komunës, sipas të cilit dy të akuzuarit kanë vepruar në zbatimin e të njëjtit”, ka thënë avokati Përgjoka.

Kërkesë për hudhje të aktakuzës ka parashtruar edhe përfaqësuesi i ish-drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, tani të akuzuari Ertan Simitqi, avokati Durim Nevzati.

Ai ka thënë se kjo aktakuzë nuk është e mbështetur në prova, sidomos në ekspertizën e propozuar nga ana e prokurorisë, e cila sipas tij, nuk është e hartuar sipas dispozitave të procedurës, ngase siç ka thënë ai, e njëjta është e lëshuar me urdhëresë për një lëndë tjetër të kësaj gjykate, për të dyshuar të tjerë.

Prapa kërkesës së mbrojtësve të tyre, kanë qëndruar edhe dy të akuzuarit Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi.

Mirëpo, një propozim të tillë, e ka kundërshtuar si të pabazuar, prokurori i rastit Mehdi Sefa, i cili ka kërkuar nga gjykata që kërkesën e mbrojtësve ta refuzojë si dhe për ketë rast të caktohet shqyrtimi kryesor, në të cilin sipas tij, edhe do të vërtetohet baza e kësaj aktakuze.

“Sa i përket kundërshtimit të mbrojtësit, të të akuzuarit Ertan, konsiderojmë se urdhëresa e lëshuar nga prokurori për ekspertizën është e ligjshme, pavarësisht se në atë periudhë urdhëresa ka qenë e lëshuar lidhur me një zyrtar tjetër të Komunës së Prizrenit. Të gjeturat e ekspertit financiar kanë rezultuar që edhe zyrtarët e tjerë kanë qenë të përfshirë në veprat penale të njëjta”, ka thënë nder të tjera prokurori Sefa.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, ka deklaruar se sa i përket propozimit të avokateve mbrojtës, ajo do të marrë aktvendim në formë të shkruar, ndërsa seancën e radhës për ketë rast, ka thënë se do ta caktojë brenda afatit ligjor.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2015, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion, TV Besa, dhe TV Prizreni.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ahmetaj, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Ahmetaj gjatë periudhës kohore 25 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 300 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 20 janar 2015, deri me 31 dhjetor 2015, me TV Besa, kishte lidhur kontratë prej 300 euro në muaj, që për 12 muaj arrin shumën 3600 euro, si dhe për të njëjtën periudhë dhe me shumë të njëjtë, kishte lidhur kontratë edhe me TV Prizrenin, ku për të tre televizionet arrin shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Ertan Simitqiu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion, TV Besa, dhe TV Prizreni.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Simitqi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën  Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se Simitqi gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 e deri me 31 dhjetor 2016 kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 300 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë, kishte lidhur kontratat edhe me TV Besa dhe TV Prizreni, ku për të tre televizionet arrinte shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, më 25 maj të vitit 2018, ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.