Në këtë rast, të akuzuarit Levent Kasëmi, ish-drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi, ish-drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri, ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, Babuna, ish-asambliste e Kuvendit Komunal të Prizrenit, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, në cilësi të anëtarëve të komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, po akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme kanë përzgjedhur Fatmire Berishën si përfituese të ankandit publik për lokalin në sheshin “Shatërvan” , raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Shaqiri deklaroi se dëshiron të shfrytëzojë të drejtën e mbrojtjes në heshtje. Ai shtoi se qëndron në tërësi pranë deklaratës së 18 janarit 2023 të dhënë pranë kësaj gjykate.
Ndërsa, i akuzuari Shporta deklaroi se qëndron në tërësi pranë deklaratës së 18 janarit 2023, të dhënë pranë kësaj gjykate. Ai ka mohuar se me veprimet e tyre si komision është dëmtuar Komuna e Prizrenit.
I njëjti ka treguar se përfituesja e ankandit ka lidhur kontratë me komunën. Sa i përket caktimit të kritereve nga ana e komisionit, Shporta ka thënë se nuk ka marrë pjesë në takimin e komisionit në momentin kur është bërë caktimin i kritereve dhe se nuk është në dijeni se në çka janë bazuar.
Mbrojtjen e saj e ka dhënë edhe e akuzuara Babuna, e cila deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë më 3 mars 2023 pranë kësaj gjykate.
E njëjta, Komunën e Prizrenit nuk e ka konsideruar si palë të dëmtuar. Sipas saj, ish-kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka ka deklaruar se komuna nuk është dëmtuar nga procesi i zhvilluar për përfituesin e ankandit publik.
Babuna ka treguar se gjatë punës së tyre si komision, çmimi më i lartë i ofertuar është respektuar nga ta, duke u poentuar me pikë maksimale.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha tha se prokurori i kësaj çështje Metush Biraj është ndërruar dhe tani është prokurori Mehdi Sefa. Andaj, marrë parasysh vëllimin e lëndës, i ka dhënë kohë shtesë prokurorit për përgatitje të fjalës përfundimtare.
E njëjta, seancën e radhës për këtë rast e ka caktuar të mbahet më 20 tetor 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.
Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.
Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.
Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.
Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi