25-11-2024

Prizren: Ish-inspektori i ndërtimit mohon fajësinë për mos rrënim të objekteve pa leje

Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, i akuzuari Musliu, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet.

Ai akuzohet gjatë periudhave të ndryshme kohore nga viti 2013, deri më 2017, nuk ka nxjerr vendime për rrënimin e objekteve pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve, ish-drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, si dhe pronari i njëri prej objekteve, Zait Kabashi, i cili objekt sipas aktakuzës, është ndërtuar pa leje dhe se ndaj tij nuk janë marr masa për rrënim.

Ish-drejtori Hasani, ka deklaruar se ai gjithmonë ka qenë në dijeni për punën e inspektorëve dhe terrenet të cilat ata i inspektojnë.

“Nuk ka pasur asnjëherë ankesa, po të kishte pasur ne në mënyrë kolegiale së bashku me koleget e tjerë do t’i zgjidhnim. Ajo që dua të shtoj është fakti se për objektin në fjalë inspektori një pjesë të procedurave administrative i ka kryer dhe se mundësia e pajisjes me leje e këtyre objekteve edhe atëherë  ka ekzistuar edhe tani ekziston, në ketë moment që po mbahet gjykimi, komuna mund t’i ndërmarr veprimet e veta, qoftë për rrënim, qoftë për pajisje me leje”, ka thënë dëshmitari Hasani.

Ai ka thënë se nuk i kujtohet nëse ka pasur ndonjë bisedë specifike lidhur me objektin në fjalë, pasi sipas tij, që nga atëherë ka kaluar kohë.

Në këtë seancë, dëshminë e tij e ka dhënë edhe Zait Kabashi, i cili ka deklaruar se është pronar i objektit “Kristal Palace”.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Biraj, dëshmitari Kabashi, ka thënë se nuk ka pasur leje ndërtimi, por që ka qenë në procedurë të pajisjes me të.

Ai ka thënë se ndërtimin e objektit nuk e ka kontrolluar ai, mirëpo arkitekti Fahri Shabanaj.

Prezent ka qenë edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Arben Krasniqi, i cili e ka pyetur dëshmitarin Kabashi nëse është marrë vesh me arkitektin lidhur me procedurat e marrjes së lejes, dëshmitari ka deklaruar se i ka dorëzuar të gjitha dokumentet dhe kërkesat në Komunën e Prizrenit.

Dëshmitari Kabashi,  gjithashtu ka deklaruar se nuk e njeh te akuzuarin Musliun dhe se atë po e sheh për herë të parë në seancë.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Artan Sejrani, ka pohuar se në seancën e së premtes nuk kanë prezantuar dëshmitaret Fahri Shabanaj dhe Shemsidin Berisha, për të cilët ai ka lëshuar edhe urdhërarrest për sjellje me dhunë ,mirëpo deri në momentin e fillimit të seancës, nuk ka marrë ndonjë njoftim nga Stacioni Policor në Prizren.

Prokurori Biraj, ka hequr dore nga dëgjimi i dëshmitarit Shemsidin Berisha, ndërsa i ka propozuar gjykatës që edhe një herë ta ftojë dëshmitarin Fahri Shabanaj.

Seanca e radhës për ketë rast është caktuar më 24 janar 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Nexhmedin Musliu akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të inspektorit të ndërtimtarisë, nuk i përmbush detyrat zyrtare, me qellim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në periudha të ndryshme kohore nga vitit 2013, e deri në 2017, në vazhdimësi vetëm formalisht si në aktvendimin e Inspektoratit të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, e pastaj edhe me procesverbale urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi, e pastaj me një procesverbal tjetër urdhëron pajisjen me leje ndërtimi të objektit, përkatësisht të sallonit të dasmave, afër pompës së benzinës “Arbëria”, në hyrje të autostradës në veri të Prizrenit, pronë kjo e investitorit Shemsedin Berisha.

Sipas aktakuzës, Musliu me procesverbal urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në kompleksin e ndërtimeve “Barut Hane” në Prizren, pronë e investitorit Tahir Krasniqi, ndërprerjen e punimeve ndërtimore në objektin hotelier “Crystal Palace”, ky afër fshatit Landovicë, pronë e investitorit Zait Kabashi, si dhe urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në depon për prodhimin e peletit, afër rrethit të autostradës, në lagjen “Arban”, pronë e investitorit Asllan Shala.

Sipas aktakuzës, ai urdhëron ndërprerjen e punimeve, mirëpo nuk ndërmerr masa pasuese në frymën e këtyre akteve, gjegjësisht aktvendimeve për rrënime vullnetare dhe përfundimisht konkluzione për rrënim të detyrueshëm të objekteve të ndërtuara pa leje, ku njëherësh i shkakton dëm material edhe Komunës së Prizrenit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë në nenin 422 , paragrafi 1 e Kodit Penal të Kosovës.

Ndryshe, ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu akuzohet edhe për dy  raste tjera për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtare. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.