27-11-2024

Prizren: Ish-referenti deklarohet i pafajshëm për ryshfet, thotë se të hollat i ka ende në kuletë

Ish- referenti i lartë në Gjykatën e Pejës, Zenel Hoxha, i akuzuar për marrje ryshfeti, ka thënë se të hollat ende i ka në kuletë dhe se të njëjtat nuk i janë konfiskuar.

Hoxha është deklaruar i pafajshëm nga akuza në cilësinë e personit zyrtar të referentit të lartë në Gjykatën Themelore në Pejë, ka pranuar nga palët shumën prej 30 euro dhe një monedhë metalike në emër të shërbimit të kryer zyrtar.

Lexo edhe:

Prokurori prizrenas tërhoqi aktakuzën për 130 kg marihuanë pak ditë para pensionimit (VIDEO)

“Nëse më lejohet atë bankënotë…e kom shënu me laps, menihere e kom shënu, ja kam bërë vijën me laps kimik edhe e kam deklaru edhe para prokurorit…edhe ende e kam të ruajtur atë bankënotë në kuletë”, ka thënë Hoxha, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Po ashtu, Hoxha ka mohuar se në momentin e ndalimit nga ana e zyrtarëve policorë i është konfiskuar diçka, apo më konkretisht ndonjë sasi e të hollave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hoxha ka deklaruar se personi me emrin Din Shala i kishte lënë nën fletëpagesë 10 euro, të njëjtat tha se i ka futur në xhep dhe se në “Qarshi” kishte shkuar me qëllimin që të ia kthejë të hollat atij personi.

“I kishte lënë nën fletëpagesë 10 euro edhe tash kur  kam pa unë e kam marr fletëpagesën për me ngjitë në lëndë dhe i kam pa ato 10 euro. Jam hamend sepse thash:  A i ka harru, a ju kanë pshtjell apo qysh? Edhe tash nuk kam ditë çka me ba me ato të holla. I kam marr dhe i kam shti në xhep, ku në xhepin e majtë i kam pasur edhe 20 euro të mijat të cilat i kam ndarë me qëllim me dal në drekë me hangër edhe jam sjellë dy herë a tri nëpër “Qarshi” me qëllimin që mos po e takoj atë person dhe me ia kthy ato 10 euro”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar se Shalën për herë të parë e kishte parë në gjykatë, ku i njëjti kishte shkuar për të marrë një njohje të vendimit të huaj për zgjidhje të martesës.

I pyetur nga avokati Sylë Hoxha lidhur me rastin e 19 gushtit 2022, për akuzën se kishte pranuar një monedhë metalike nga një palë, i akuzuari tha se pala e panjohur kishte shkuar të shikojë se a janë në rregull dokumentet për njohjen e vendimit të huaj dhe se pasi kishte parë që dokumenteve u mungon propozimi të njëjtin e kishte udhëzuar të shkojë tek ndonjë avokat.

Ai ka shtuar se në momentin e daljes nga dera, pala i kishte gjuajtur një monedhë prej 50 centë të cilat nuk kishte arritur t’ia kthejë.

“Ka dal edhe ka është dal prej dere ka gjuajtur një monedhë 50 cent, e kam marrë monedhën jam dal te dera me ja kthy, mirëpo personi kishte shkuar”, ka thënë Hoxha.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shajkovci, Hoxha ka thënë se pas 5-6 minuta ka vërejtur se në fletëpagesë gjendet shuma prej 10 euro.

Paraprakisht, në këtë seancë është bërë leximi i aktakuzës nga prokurorja Arijana Shajkovci, me ç’rast i akuzuari Hoxha është deklaruar i pafajshëm për veprën penale marrja e ryshfetit.

Tutje, seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve, ku prokurorja Shajkovci tha se me administrimin e provave do të vërtetohet gjendja faktike si në aktakuzë.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Sylë Hoxha në fjalën hyrëse tha se aktakuza e Prokurorisë është e paargumentuar dhe se me administrimin e provave do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Tutje, në këtë seancë është bërë edhe shikimi i video-incizimeve të 15 dhe 19 gushtit 2022.

Seanca e sotme është ndërprerë me kërkesën e prokurores Shajkovci e cila tha lënda është e kolegut të saj dhe për përgatitjen e fjalës përfundimtare ka kërkuar një afat shtesë.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi tha se seanca e sotme ndërpritet, ndërsa e radhës është caktuar të mbahet më 3 korrik 2023.

Sipas aktakuzës së 22 dhjetorit 2022, e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Zenel Hoxha, në cilësinë e personit zyrtar të referentit të lart për regjistrim të lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim financiar për vete në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se më 15 gusht 2022, në zyrën nr.5 të Gjykatës Themelore në Pejë, pasi palës Din Shala ia rregullon dokumentacionin zyrtar lidhur me njohjen e një Vendimi të huaj për prishjen e martesës, me insistimin e të njëjtit pranon 30 (tridhjetë) euro në emër të shërbimit të kryer zyrtar.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se më 19 gusht 2022, vepron njëjtë edhe ndaj palës së panjohur duke pranuar një monedhë të metalit.

Për këto veprimet, Hoxha po ngarkohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 parag.1 të KPRK.

Ndryshe, për veprën penale të dhënies së ryshfetit, sipas kësaj aktakuze është ngarkuar edhe Din Shala, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë është dënuar me një dënim prej 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej një viti. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.