22-11-2024

Prizren: Jepet fjala përfundimtare në rastin e grabitjes të mbetur në tentativë

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren janë dhënë fjalët përfundimtare për rastin e grabitjes në tentativë, ku të akuzuar janë Lulzim Lubovci dhe Enis Tara.

Në fillim të kësaj seance, prokurorja Ervehe Gashi deklaroi se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim, të cilën e ka elaboruar edhe gojarisht, duke shtuar se veprimet e të akuzuarve kanë plotësuar elementet esenciale të veprës penale të grabitjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, prokurorja Gashi i propozoi gjykatës që ndaj të akuzuarve Lulzim Lubovci dhe Enis Tara, gjykata të shpall aktgjykim dënues.

Lexo edhe:

Drejtoresha e Haskukës ishte larguar nga puna për perfomancë të dobët – DOKUMENT

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Lubovci, avokati Blend Gjini tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim, duke i propozuar gjykatës që masa e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij, të akuzuarit Lubovci, të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak deri në shpalljen e aktgjykimit.

I akuzuari Lulzim Lubovci deklaroi para trupit gjykues se pajtohet me fjalën e avokatit Gjini, duke shtuar se është penduar për veprimet e tij dhe kërkoi nga gjykata që masa e paraburgimit të i ndërpritet dhe të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Enis Tara, avokatja Leudita Skoro deklaroi se edhe fjalën përfundimtare e ka përgatitur në formë të shkruar, duke propozuar që e njëjta të jetë pjesë e procesverbalit të kësaj seance.

I akuzuari Enis Tara e mbështeti në tërësi fjalën e avokates Skoro.

Pas këtyre, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi mori vendim që të pandehurit Lulzum Lubovci i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Gjykimi për grabitje në tentativë. 30.10.2020

Gjithashtu, gjykatësja Elezi konstatoi se anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shpresa Emra do të jetë në pushim, dhe për këtë shpalljen e aktgjykimit e caktoi më 09 nëntor 2002, në ora 15:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e përpiluar më 18 shtator 2019, të pandehurit Lulzim Lubovci, ( i cili gjendet në paraburgim prej 24 qershorit të vitit 2019 ) si dhe Enis Tara, ( i cili ka qenë në masën e paraburgimit nga 25 qershori, e deri më 15 gusht 2019 ) po akuzohen sepse më 23 qershor 2019, rreth orës 23:20 minuta, në sheshin marash të Prizrenit, në bashkëkryerje tentojnë që me përdorimin e forcës ta përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër.

Lidhur me këtë, sipas aktit akuzues, të akuzuarit Lubovci dhe Tara, kanë vepruar në atë mënyrë që në momentin e vendit  kritik, i vërejnë të dëmtuarit Luan Morina dhe Bajram Berisha, ku pastaj i pandehuri Lulzim Lubovci i urdhëron që të dy të dëmtuarit duke e kapur për krahu të dëmtuarin Luan Morina që t’i afrohen rrapit ku ishte në terr.

Në këtë rast, i drejtohen  të dëmtuarve me fjalë “qitni pare, qitni pare”, pastaj i pandehuri Lubovci e godet me grusht ( në të cilin e kishte të vendosur grushtin e hekurit ) në kokë të dëmtuarin Luan Morina disa herë, thuhet ne aktakuzë.

Po ashtu, në aktin akuzues thuhet se i pandehuri tjetër Enis Tara tenton ta godet të dëmtuarin tjetër Bajram Berisha, i cili në atë moment ka ikur nga vendi i ngjarjes, ku pastaj të pandehurit Lubovci dhe Tara kanë vazhduar ta godasin nëpër pjesë të ndryshme të dëmtuarin Luan Morina, i cili është rrezuar në tokë.

Në ato momente, i pandehuri Lubovci i kontrollon xhepat e të dëmtuarit për të gjetur para, nuk gjen para dhe largohen, ku pastaj të dëmtuarin Morina qytetarët e rastit e dërgojnë në spital.

Me këto veprime, të pandehurit në cilësi të bashkëkryerësve kanë kryer veprën penale të grabitjes së mbetur në tentativë./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.