25-11-2024

Prizren: Katër të mitur akuzohen për dëmtim automjetesh, nga mbikalimet e autostradës

Vozitësit duhet të jenë të vëmendshëm derisa kalojnë nën mbikalimet e autostradës  Vërmicë-Prishtinë, që kalon në segmentin e komunës së Prizrenit, të Suharekës dhe Malishevës.  Kjo për shkak se të miturit nga fshatrat në të cilat kalon rruga, në disa raste nga mbikalimet apo urat mbi autostradë apo edhe anash tyre kanë hedhur gjësende rrethanore, në drejtim të automjeteve,  duke shkaktuar edhe dëmtimin e tyre, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Autostrada “Ibrahim Rugova” është  e sistemit të mbyllur, me hyrje-daljet vetëm në ekstremet e autostradës. Në të janë edhe disa mbikalime. Ato janë të mbrojtura me rrjeta metalike, për të mos lejuar hedhjen e gjësendeve, por kjo nuk ka mundur t’i pengojë disa fëmijë.

Në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, konfirmuan se janë katër raste kur të miturit akuzohen për shkak të hedhjes së gjësendeve në autostradë dhe dëmeve të shkaktuara. Prokurorja Nazan Shero, ka thënë se bëhet fjalë për fëmijë të fshatrave nëpër të cilat kalon autostrada, ndërsa bëhet fjalë për shqetësime të shoferëve, pengesa dhe thyerje të dritares kryesore të automjetit (shofer shajbes), përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Image result for mbikalimi ne autostraden Ibrahim Rugova

“Gjatë intervistimit fëmijët kanë treguar se në disa raste janë argëtuar,  duke i konsideruar veprimet e tilla si lojëra, ndërsa edhe janë mburrur ndaj njeri-tjetrit, për atë se kush ka mundur të qëllojë mbi automjetet të cilat po lëviznin në autostradë”, tha ajo,  por pa dhënë hollësi të tjera rreth rasteve për shkak të ndjeshmërisë së  moshës.

Sipas saj, rastet janë paraqitur në organet e rendit nga vetë vozitësit, ndërsa më pas është bërë identifikimi i keqbërësve./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.