Prizren: Kërkesat e mësimdhënësve për pagat jubilare dhe shujtën vërshojnë Gjykatën
Mësimdhënësit prizrenas tash e disa muaj përmes gjykatës, kanë nisur realizimin e të drejtës së tyre për marrjen e pagave jubilare dhe kompensimin e shujtës, të paraparë me Kontratën Kolektive në Kosovë.
Profesori në pension, Milaim Ilazi, tregon për portalin “Gazeta e Prizrenit” se që dy vjet po përpiqet që pëmes gjykatës ta fitojë të drejtën e tij. Sikur ky, ndërkaq rrëfejnë edhe shumë pensionistë të tjerë.
Sipas kësaj del se Komuna e Prizrenit nuk po respekton Kontratën Kolektive të Arsimit, të nënshkruar në prill të vitit 2017, që ka bëjë me pagesën e pagave jubilare dhe tri pagat përcjellëse, për mësimdhënësit e pensionuar, si dhe pagesën e shujtës për mësimdhënësit në proces.
Përkundër pyetjes së dërguar ditë më parë për këtë çështje, në adresë të zëdhënësit të Komunës së Prizrenit, portali “GazetaePrizrenit.net” nuk ka marrë përgjigje.
Për realizmin e të drejtës së tyre, mësimdhënësit kanë nisur një fluks kërkesash në Gjykatën Themelore (GJTH) të Prizrenit.
Zyrtarja për media pranë GJTH-së, Afërdita Kicaj tha se në periudhën janar-tetor të vitit 2019 sa i përket pagave jubilare, në procedurën gjyqësore gjenden gjithsej 180 lëndë.
“285 lëndë të tjera kanë ardhur sa i përket shujtës ditore, prej të cilave në procedurën jokontestimore janë 42 lëndë të pagave jubilare, ndërsa 18 lëndë janë të shujtës ditore”, konfirmoi për portalin “GazetaePrizrenit.net” ajo.
Sipas saj, në procedurën e përmbarimit në procedim e sipër janë 138 lëndë sa i përket pagave jubilare, ndërsa sa i përket shujtës ditore në gjykatë kanë arritur 267 lëndë, një pjesë e të cilave janë të përfunduara, ndërsa disa sosh në procedim e sipër.
Gazeta ka kuptuar se punëtorët e arsimit do të kompensohen në emër të shujtës, në shumën e përgjithshme prej 624 euro, ndërsa kjo bëhet për 312 ditë pune të llogaritura. Mjetet do të kompensohen nga buxheti i Komunës, përmes Përmbarimit.
Kompensimi llogaritet nga 18 prilli i vitit 2017, kur ka hyrë në fuqi Kontrata Kolektive e deri në dhjetor të vitit 2018. /GazetaePrizrenit.net /