Prizren: Këta janë të arrestuarit për drogë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas një hetimi disa mujor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në rajonin e Prizrenit, ku janë bastisur disa lokacione. Aksioni rezultoi me arrestimin e gjashtë personave, si të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal dhe shitblerje e shpërndarje të drogës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se njëri nga të arrestuarit është Shpejtim Kabashi, i cili ka përfunduar në ndalim policor bashkë me pesë të tjerë.
Burimet e njëjta thonë se në këtë aksion u kap edhe Kenan Mazrek nga Mamusha, Alban Krasniqi dhe Adil Morina, raporton Gazeta Sinjali.
Nga Prokuroria Speciale kanë bërë me dije veprat me të cilat ngarkohen të dyshuarit që u kapën.
“Gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjashtë persona mbi bazën e dyshimit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 277 par. 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 275 par. 1 nën par. 1.9 të KPRK-së.” – njoftoi Prokuroria.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./ G. SINJALI