24-11-2024

Prizren: Komuna angazhon edhe një kompani për pastrimin e borës

Ndërkohë që rrugët në Prizren e fshatra tashmë janë të hapura, ndërsa borë ka akoma nëpër trotuare të qytetit, Komuna e Prizrenit ka njoftuar për angazhimin edhe të një kompanie tjetër si përforcim për pastrimin e borës, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Në njoftimin e dhënë në fundjavë,  është thënë se kjo bëhet për të qenë shërbimi më efikas ndaj qytetarëve. “Drejtoria e Shërbimeve Publike, përveç kompanive të kontraktuara nga Komuna, ka angazhuar edhe një tjetër kompani shtesë për përforcim në rajonin ku përgjegjëse është kompania “Ekoregjioni”, thuhet në njoftim, por nuk sqarohet se për cilën kompani bëhet fjalë dhe nëse kjo bërë vetëm për këto ditë apo do të vazhdojë edhe më tej.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në qytet dhe fshatra, deri tash kanë qenë të kontraktuara tri kompani: “IS Company”, “NSH Shërbimi” dhe “Ekoregjioni”. Sipas zyrtarëve, ato kanë kontrata kornizë tri vjeçare deri më 07.02.2019 dhe i kanë terrenet e ndara në zona, si në qytet ashtu edhe në fshatra, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Në listën e mirëmbajtjes dimërore nga kompanitë përkatëse janë mbi 76 kilometra rrugë në qytet dhe rreth 209 të tjera që lidhen me fshatrat.

Sipas raportimeve nga përgjegjësit në terren, Komuna bën të ditur se është intervenuar edhe në rrugët e fshatrave, të cilat janë vlerësuar me gjendje më të vështirë për shkak të pozitës gjeografike./GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.