Prizren: Komuna gërvisht asfaltin dhe harron rrugët “Edit Durham” dhe “Enver Hadri”
Prej dy muajsh është gërvishtur sipërfaqja e asfaltit në rrugët “Edit Durham”, që ndërlidhet me atë “Enver Hadri”, dhe është lënë në atë gjendje pasi nuk është vënë shtresa e re, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në këto rrugë ka një qarkullim të automjeteve, pasi ato lidhin transitin e ri, tek rrethi i qendrës TeA me pjesën e Ortakollit dhe të qendrës tregtare “Qylhan”.
Pasi rruga është lënë në këtë gjendje, duhet lëvizur me kujdes. Banorët dhe vozitësit ankohen se nuk i dinë arsyet se përse rruga është lënë në këtë gjendje, pasi deri tash moti ishte mjaft i mirë për ta riparuar.
Banorët dhe vozitësit: Shaq Gashi, Shani Bytyqi e të tjerë, thonë se lëvizja në këtë rrugë, pos vonesave po u shkakton edhe dëmtime të automjeteve.
Sipas tyre, gërvishtja e asfaltit e ka ulur nivelin e trasesë, ndaj anësoreve të rrugëve tjera dytësore, të cilat duhet kaluar për hyrje-dalje./GazetaePrizrenit.net/