Prizren: Komuna ia rrënon terrasën lokalit të familjes së ish-drejtorit të Inspektoratit Bujar Hasani (foto)
Siç raporton gazetari i KALLXO.com, inspektorët e kësaj komunë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke mbikëqyrur aksionin për rrënimin e terrasës.
Ish-drejtori i Inspeksionit, i cili ishte akuzuar pikërisht për çështjen e kësaj terrase, Bujar Hasani, ka thënë për KALLXO.com se terrasën po ia rrënon inspektori i cili kishte qenë i bashkakuzuar me të dhe se në procesin gjyqësorë kishte deklaruar se terrasa ishte e ndërtuar sipas ligjit.
“Inspektorati ka marrë vendim për largimin e kësaj hapësire. I njëjti inspektor që ka qenë i bashkakuzuar me mua. Enver Bytyqi, i cili gjatë gjykimit kishte deklaruar që ky ndërtim është në përputhje me ligjet në fuqi, dhe se prona ku është ngritur objekti nuk është pronë publike, e tash ka marrë vendim për rrënim”, ka thënë Hasani.
“Unë kam bërë padi në Gjykatën për çështje administrative, sepse e kam të drejtën e ankesës ndaj vendimit për rrënim, por inspektorati nuk ka pritur një vendim të gjykatës, kanë vepruar një-anshëm dhe me nguti. Unë do t`i ndjekë rrugët ligjore për këtë çështje”, ka thënë Hasani për KALLXO.com.
KALLXO.com ka bërë përpjekje që të marrë një përgjigje nga ana e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, mirëpo deri në momentet kur është publikuar shkrimi, ata nuk janë përgjigjur.
KALLXO.com kishte raportuar që nga fillimi lidhur me terrasën e lokalit i cili fillimisht ishte në emrin e ish drejtorit të Inspektoratit Bujar Hasani i bartur më pas në emrin e djalit të tij.
Pas raportimeve të KALLXO.com prokuroria e Prizrenit kishte nisur hetime të cilat kishin rezultuar me ngritjen e aktakuzës ndaj Bujar Hasanit dhe Enver Bytyqit.
Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth procesit gjyqësorë ndaj Bujar Hasanit mund t`i lexoni duke klikuar në LINK