Prizren: Komuna paralajmëron shpeshtim, shoferët ankohen se pengesat ua kanë gërditur vozitjen
Derisa disa shoferë prizrenas, ankohen se u është gërditur vozitja nëpër rrugët e qytetit, shkaku i numrit të madh të pengesave nëpër rrugë, disa prej të cilave pa kriter, autoritetet lokale kanë paralajmëruar shtimin e ‘policëve të shtrirë’, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Vozitja nëpër rrugët e Prizrenit është bërë e bezdisshme. Rrallë gjen ndonjë pjesë ku nuk ka pengesa formash të ndryshme, përfshirë ato nga betoni, goma, asfalti, e kubëzat e ngritura përtej nivelit.
Së fundi, disa pengesa në formë shiriti, sidomos afër shkollave janë zëvendësuar me sipërfaqe të ngritura të asfaltit.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se numri i pengesave do të rritet, për shkak të sigurisë. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se aksioni për vendosjen e pengesave nëpër rrugë do të vazhdojë për ta zvogëluar shpejtësinë e qarkullimit të automjeteve.
Drejtoria e Shërbimeve Publike (DSHP) në Prizren, tre muaj më parë ka njoftuar për vendosjen e rreth 250 metrave gjatësi të pengesave në qytet dhe fshatra. Pas kësaj aksioni ka vazhduar edhe më tej. Sipas zyrtarëve duke pasur parasysh rrezikun e shtuar ndaj nxënësve, pengesat kryesisht janë vendosur në afërsi të shkollave, e gjetiu pastaj tek unaza e qytetit dhe në rrugët, për të cilat është konstatuar se paraqesin rrezik për këmbësorët.
Në anën tjetër, vozitësit Rasim Gashi, Arben Krusha e Lirim Krasniqi thonë se pengesat janë të shpeshta dhe në disa vende të panevojshme, në një distancë të afërt, andaj kjo edhe ua ka gërditur vozitjen.
Shoferi Krusha, që thotë se ka një përvojë prej 30 vjetësh tregon se qyteti asnjëherë nuk ka pasur numër kaq shumë pengesa.
.
Në rrugën “Flamuri” që lidhet me transitin dhe rrugën e Therandës (ish Petova), në një kilometër janë të vendosura së paku 6 pengesa, disa jo më tepër se 50 metra distancë nga njëra tjetra.
Shoferët njëzëri janë ankuar se pos lëvizjes shumë të ngadalësuar dhe vonesave, kanë edhe dëmtim të veturave. Praninë e shpeshtë të pengesave ata e lidhin me neglizhencën e policisë, e cila nuk shihet brenda qytetit për të disiplinuar vozitësit, të cilët sipas tyre, pa dallim “dënohen” në këtë formë.
Në Prizren, përfshirë edhe akse kryesore madje ka pengesa jashtë çdo standardi të vëna nga qytetarë, pa kurrfarë kriteri apo leje nga organet. Disa sosh janë hequr kohët e fundit./GazetaePrizrenit.net/