Në Prizren, sot në kuadër të Shën Gjergjit kremtohet festa tradicionale që këtu njihet si “Dita e Karabashit”.
Ndonëse në pjesën e parkut të qytetit dhe përreth ka nisur një frekuentim më i madh i qytetarëve dhe ekspozim i gjësendeve të shitësve ambulant, ajo që vërehet në mëngjes është se ka shumë më pak njerëz se zakonisht, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në kontekstin e kremtes, zakonisht qytetarët jo vetëm nga Prizreni e rrethina, por edhe me gjerë, përfshirë edhe ata nga viset veriore të Shqipërisë, dalin në qytet, pastaj vizitojnë edhe varrezat e më të afërmve, ndërsa kryejnë edhe rite fetare nëpër tyrbe.
Kjo festë në disa fshatra të Hasit dhe ato të Rrafshit të Dukagjinit organizohet pranë tyrbeve të shenjta, në afërsi te të cilave janë therur qengja.
Kremtimi i kësaj feste vazhdon deri në mesnatë, kur qytetarë të shumtë, përfshirë edhe qiftet e reja dalin për xhiro në qytet, ndërsa qendra e Prizrenit zakonisht ka frekuentim të madh.
Do theksuar se ka zëra, kryesisht nga besimi mysliman, të cilët prej vitesh janë shprehur kundër këtij kremtimi duke e vlerësuar atë si diçka të imponuar dhe të huaj./GazetaePrizrenit.net/
Lexo edhe: