Prizren / Kryeprokurori Kryeziu: Rasti në Pouskë, ishte vetaksident
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu ka qartësuar rastin në Pouskë të Prizrenit, duke e cilësuar vetaksident ngjarjen tragjike ku humbi jetën një 19-vjeçare.
Të lënduar mbetën një 25 dhe 27 vjeçar.
“Po, mund te konfirmoj që në orët e hershme të mëngjesit ka ndodhur një vetaksident ku vozitësja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes përderisa dy pasagjerët kanë marrë lëndime trupore! Në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurorja Kujdestare, e cila ka urdhëruar që trupi i pa jetë i vozitëses të dërgohet në IML ku edhe është tërheq nga instituti i IML-se për autopsi”, tha Kryeziu për Klankosova.tv.Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
U bë e ditur se njëri nga të lënduarit pas trajtimit mjekësor është liruar për në shtëpi, derisa tjetri si pasojë e lëndimeve të rënda, është transferuar për në QKUK.
Këtë e bëri të ditur shefi i Emergjencës së Prizrenit, Hekuran Veçgishti.
“Kanë ardhur dy të lënduar, njëri prej tyre është liruar në shtëpi, tjetri për shkak të lëndimeve më të mëdha që i ka pasur është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë”, tha Veçgishti.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sot me date 18.05.2025 rreth orës 04:19 policia ka marre informatë për një aksident në fshatin Pouskë. Në automjet kanë qenë tre persona, dy nga ta meshkuj dhe një femër. Personi i gjinisë femërore si pasojë e lëndimeve të rënda ka vdekur, ndërsa dy të tjerët njëri ka pësuar lëndime të rënda, e tjetri lëndime të lehta trupore”.
“Ne vendngjarje kanë dalë ekipet e njësisë së trafikut rajonal, emergjenca, zjarrfikësit, hetuesit dhe prokurori kujdestar”, tha Bytyqi.