Prizren: Kryetari Totaj dhe drejtuesit e “Hidroregjionit jugor”, nënshkruajnë marrëveshje për sigurimin e ujit nga burimet në Vërmicë
Në Ditën botërore të ujit, nga kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe u. d i kryeshefit të KRU ” Hidroregjioni jugor”, Zenel Zenelaj, sot është nënshkruar marrëveshja për realizimin e projektit “Furnizimi me ujë të pijes për qytetin e Prizrenit nga burimi Vërmica”, raporton Gazeta e Prizrenit.
Kjo marrëveshje mund të zgjidh problemin e ujit të pijes në Prizren, për 30 vitet e ardhshme, theksoi kryetari Totaj. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me u.d të kryeshefit të KRU ” Hidroregjioni jugor”, kryetari i komunës, Shaqir Totaj, tha se Prizreni, që nga periudha e pasluftës vazhdimisht ka hasur në vështirësi për furnizimin me ujë të pijes në pjesë të ndryshme të qytetit dhe fshatrave.
Reduktimet e vazhdueshme janë dëshmia më serioze që na kanë shtyrë të ndihmojmë të ndërmerren masa për rritjen e kapaciteteve të ujit në komunën e Prizrenit.Qëllimi i këtij projekti me rëndësi jetike është zgjidhja afatgjate e sigurimit të ujit të pijes për qytetarët e Komunës së Prizrenit, për 30 vitet e ardhshme.
Kryetari Totaj, më tej njoftoi se për realizimin e këtij projekti madhor pritet të shpenzohen rreth 4 milionë euro përfshirë edhe procesin e studimit të fizibiletit. Tejet të rëndësishme arritjen e kësaj marrëveshje e ka vlerësuar edhe u.d i kryeshefit të KRU ” Hidroregjioni jugor”, Zenel Zenelaj, duke thënë se Prizreni ka nevojë për shtimin e kapaciteteve të ujit.