24-11-2024

Prizren: Kryetari i degës së AAK-së, Krasniqi mohon se keqpërdori detyrën zyrtare në kompaninë “Eko Regjioni”

Kryetari i Degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi është deklaruar i pafajshëm se ka keqpërdorur pozitën zyrtare kur ka emëruar përkohësisht bashkëpartiakun e tij, Liridon Sallaukën në pozitën e Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve në kompaninë “Eko Regjioni” dhe ka dëmtuar Bujar Dakajn duke e shkarkuar nga pozita publike.

Krasniqi akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare kur si Kryetar i Komisionit Komunal të Aksionarëve në K.R.M “Eko Regjioni” kishte shkarkuar Dakajn dhe pastaj kishte emëruar përkohësisht Sallaukën në pozitë publike pasi i njëjti ishte sekretar i Përgjithshëm i AAK-së në Prizren.

Këtë deklarim, Krasniqi e ka bërë të premten në shqyrtimin fillestar të mbajtur pranë Gjykatës Themelore në Prizren.

Sipas aktakuzës, Krasniqi në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Komunal të Aksionarëve të K.R.M “Eko-Regjioni”, në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar përkohësisht Liridon Sallaukën Kryesues të Bordit të Drejtorëve të kompanisë “Eko-Regjioni”, i cili ishte i emëruar politik si Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, Dega në Prizren, ndërsa të dëmtuarin Bujar Dakaj e kishte shkarkuar nga pozita e Kryesuesit të Bordit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Raima Elezi, njoftoi të akuzuarin Krasniqi se ka të drejtë të paraqesë kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj Besnik Krasniqit se më 20 qershor 2022, në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Komunal të Aksionarëve KRM “Eko- Regjioni”, në Prizren në kundërshtim me nenin 17 parag.2 pika K të Ligjit nr.03/L-87 për Ndërmarrjet Publike dhe duke i vë në lajthim faktik dy anëtarët tjerë të Komisionit.

Sipas aktit akuzues, Krasniqi ka nxjerrë Vendim me të cilin e ka emëruar përkohësisht Liridon Sallaukën Kryesues të Bordit të Drejtorëve pranë “Eko Regjionit” në Prizren, i cili ishte i emëruar politik përkatësisht ka punuar si Sekretar i Përgjithshëm i AAK-dega në Prizren dhe në këtë mënyrë me Vendimin që e ka marrë e dëmtojnë Bujar Dakajn duke e shkarkuar nga pozita e Kryesuesit të Bordit.

Për këto veprime, Krasniqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.