Prizren: Kthehet në rivlerësim prokurimi për infrastrukturën e Parkut të Biznesit
Procedurat e prokurimit për ndërtimin e infrastrukturës në Parkun e Biznesit në Lubizhdë të Prizrenit ende nuk janë përmbyllur. Kjo lëndë së fundmi është kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili ka konstatuar se Komuna e Prizrenit vlerësimin e ofertave nuk e ka bërë konform legjislacionit në fuqi.
Për këtë arsye ‘Gjykata e tenderëve’ ka anuluar njoftimin e autoritetit kontraktues për dhënie të kontratës.
“Anulohet njoftimi për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull ‘Ndërtimi i infrastrukturës në parkun ekonomik në Lubizhdë të Prizrenit, iniciuar nga Komuna e Prizrenit dhe lënda kthehet në rivlerësim”, shkruan në vendimin e OSHP-së. Ky organ paraprakisht ka vendosur që të aprovojë si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik ‘Seferi-Co’ Shpk dhe ‘R&Rukolli’ për këtë aktivitet të prokurimit.
Në arsyetimin e vendimit theksohet se operatori ankues në fund të shtatorit të këtij viti ka deponuar ankesë në OSHP kundër njoftimit për dhënie të kontratës me pretendimin se autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me disa dispozita të LPP-së./koha.net